Sot e paska takuar një tjetër diplomate e rëndësishme në vendin tonë. Në postimin e rradhës në Facebook, deputetja u shpreh se kanë diskutuar “për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet shqiptare aktualisht”. Është e qartë se “ka marrë kot”. Po përpiqet ti japë vetes një profil, një staturë, duke e ngritur mbi…asgjënë. Pra, çdo gjë duke e shumëzuar me “asgjë” ose me 0.
Takimi i sotëm është vetëm i rradhës. Sigurisht, do të pasohet edhe nga të tjerë. Tashmë ka marrë rolin e “fëmijës së llastuar” të politikës shqiptare. A ju kujtohet “Mimoza llastica”…?! Ka biseduar me diplomatë të BE-së, SHBA-së këtu dhe jashtë kufijve. Në fakt, nisi t’i ankohej akoma pa u vetëpërjashtuar nga partia që i siguroi një “vend pëllumbash” si deputete në një vend të sigurtë në listë. Thjesht nga mbiemri i vajzërisë që mban.
Realisht, do të kisha preferuar ta shikoja në një takim me ata që thoshte se e votuan dhe mbështetën në zgjedhjet e 2017-ës. Zgjedhësit e Laprakës apo strukturat e partisë që e bëri deputete, pa patur as teserën e saj. Do të kisha dashur që, bashkë me dy-tre të tjerë që nuk dorëzuan apo morën mandatin, të vazhdonin lëvizjen opozitare në Kuvend: Duke bllokuar parlamentin, duke folur ti opozitare apo në rastin më të keq, duke i rënë me grushte tavolinave ose duke përplasur këmbët në dysheme.
Por jo! Ajo dhe të tjerët, do të jenë thjeshtë një zgjatim i deputetëve të mazhorancës, me dëshirën për të krijuar “opozitën e re” por nën hijen e mazhorancës. Asgjë më shumë se një fasadë, sipas orientimeve të ndërkombëtarëve, të cilëve u mjafton një “de jure” opozitë.
Të gjithë ata që janë në parlament, në emër të “opozitës së re” europiane, e kanë një mundësi: Të unifikohen, të krijojnë një parti të re “opozitare”, të rijojnë një grup parlamentar të saj, të marrin fonde nga shteti dhe të masin forcat në zgjedhjet politike, kurdo të jenë ato! Vetëm më pas, mund të shpallen si “opozitë e re”, kur të kalojnë filtrin e zgjedhjeve. Deri atëherë, do të jenë thjesht individë që ëndërrojnë të jenë përfaqësues të popullit opozitar që vendosin interesat e tyre personale dhe të momentit, para interesit të grupit politik që i përzgjodhi në mes 57 më të privilegjuarëve të tyre.
E në fund, për deputeten që po përpiqet të çajë në politike përmes mbiemrit për të cilin nuk ka asnjë meritë, vetëm një pyetje: Do të kishte më vlerë dorëzimi i mandatit (si paralajmëroi) për tu rreshtuar krah studentëve apo për të qenë në krah të “opozitës së vjetër”, siç e quan partinë që të dhuroi mandatin që po e keqpërdor…?! /Shënim i ShkodraWeb/