Raporto TI

Fati tragjik i shqiptarëve, fëmijë që vritet për gjynahet e baballarëve…

Nga Blerti DELIJA

Siç ndodh gjithmonë mediat gërmojnë. 28- vjeçari i ekzekutuar sonte, poshtë shtëpisë së tij, në mes të Tiranës ka patur një faj nga i cili nuk kishte asnjë mundësi të shpëtonte: Ishte djali i babit të tij! Duket lojë fjalësh por Mario Majollari është ekzekutuar veteëm se është djali i Avni Majollarit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave.

Mario, si shumë e shumë shqiptarë të tjerë, është vetëm një kapitull- dhe jo i fundit, i dramës tonë kombëtare. Mbi kokën e tij rëndonte hakmarrja e pamëshirshme, e cila sot e kapi me çmimin e rëndë të vdekjes. Tragjia u parapri nga një tjetër tragjedi, këtë herë jo për faj të Shqipërisë e shqiptarëve. 28- vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Suedia. Kërkonte azil sepse në vendlindje ai ndjehej i kërcënuar nga hakmarrja e çmendur sepse dikush/disa kishin menduar se ai duhej të paguante për të atin…

E janë kryqëzuar kështu tek i njëjti person hakmarrja në emrë të Kanunit dhe azilkërkimi, në këtë rast për të shpëtuar jetën që sonte e humbi pak metra larg pragut të shtëpisë. Tragjedia nuk njeh përmasa sepse babai i tij, është arrestuar dhe po vuan dënimin e përjetshëm me burg për krimet që ka bërë. Pra, as sistemi i drejtësisë nuk ka qënë i efektshëm për të paqtuar hakmarrësit e pamëshirshëm.

Pas disa kohëve Mario do të jetë thjesht një statistikë. Do të numërohet si viktimë e hakmarrjes, do të ekzistojë diku si azilkërkues në policinë shqiptare apo atë suedeze dhe…dy metër katror diku në një cep varreze. Mbase askush në Suedi, asnjëherë nuk do të mësojë për fatin tragjik të një 28- vjeçari shqiptar, ndoshta as ai/ata që i refuzuan azilin që do ti shpëtonte jetën. As edhe policët që mbase e riatdhesuan në Rinas dhe që i morën shenjat e gishtërinjëve si shkelës i “Shengenit” nuk do të kujtohen për të. Do ta kujtojë për jetë familja, babai i tij që tashmë nuk ka asnjë shpresë për të shtyrë ditët e pafundme të burgimit të përjetshem.

Eshtë e qartë se ai/ata që sot i morën jetën Marios në emër të hakmarrjes për vrasjet që kishte bërë i ati, nuk do ti lexojnë këto rreshta. Vrasjen e tij mund ta përjetojnë edhe si triumf, qofshin ata dorasës apo porositës të krimit. Por thellë- thellë ata e dinë se një fat jo më i mirë i pret. Është vetëm çështje kohe. Spiralja e krimeve në emër të hakmarrjes që nuk u mbyll as me dënimin ekstrem të drejtësisë, do të vazhdojë.  Dikush do të kujtohet edhe për ata, sepse kanë hak për të marrë. Nga sot, ata janë thjeshtë të vdekur që ecin! Por deri kur, as ata nuk e dinë siç nuk e dinte as Mario 28- vjeçar…

Shqipëria atdheu im, ku fëmijët vazhdojnë të paguajnë për gjynahet e prindërve. Deri kur kështu…?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *