Arratia e ish-kryeministrit, dikur autoritar dhe të gjithëfuqishëm, si dhe fundi i hidhur jo thjesht politik i tij nuk ka trazuar vetëm Maqedoninë fqinje. Në Tiranë ka nisur prej ditësh një garë e pashpallur udhëheqësish për gjetur Gruevskin tek tjetri dhe kjo nuk është shenjë e keqe.
Jo se deklaratat e tyre mund të përdoren si prova në ndonjë gjyq, sepse një i tillë mund të mos zhvillohet asnjëherë. Por ato janë qartazi dëshmi të drojës, për të mos thënë frikës, se një proces i ngjashëm do të aplikohet herët a vonë edhe në Shqipëri. Duket që më shumë se afërsia gjeografike me Maqedoninë gjumin në Tiranë e prishin analogjitë e frikshme me Shkupin, sa i përket keqpërdorimit të pushtetit.
Ndaj mos u çudisni kur të dëgjoni në të ardhmen akuza që “ti je më Gruevsk se unë”, ose shfajësime që “unë jam më pak Gruevsk se ti”, për atë që besohet se është vendosur si etalon për matjen e shkallës së korrupsionit dhe të abuzimeve të qeverive në Ballkan e më gjerë.
Është ky një rast tjetër i mirë për të kuptuar se sa larg kemi mbërritur në aventurën tonë për t’i nxjerrë edhe gurët e fundit të themelit shtetit të së drejtës. Por mbi të gjitha është një pasqyrë e qartë e kalbëzimit të sistemit tonë politik, që ka prekur fundin. /Nga Astrit PATOZI/