
Gjysmëfinalja e “X Factor Kids” u shndërrua në një mbrëmje plot emocion, energji dhe magji të vërtetë në ekranin e Tv Klan. Katër yjet e rinj Alex Gjonaj, David Kerri, Kejsi Sinani dhe Eden Dani dhanë gjithçka kishin, duke sjellë performanca që prekën zemrat dhe ndezën duartrokitje pa fund.
Secili prej tyre zgjodhi këngën që i përfaqëson më mirë, duke luftuar me shpirt për një vend në finale. Çdo notë ishte një hap më pranë ëndrrës, çdo interpretim një betejë emocionesh që mbajti publikun në ankth deri në fund. Por gara nuk fal… vetëm tre mund të vazhdonin rrugëtimin drejt trofeut të madh.

Teksa katër talentet u rikthyen për herë të fundit së bashku në skenë, të shoqëruar nga mentorët e tyre, emocionet ishin të papërmbajtshme. Lot, buzëqeshje dhe zemra që rrihnin fort, një skenë që do të mbetet gjatë në kujtesë.
Dhe më në fund, erdhi vendimi që ndau ëndrrat: finalistët e mëdhenj të këtij edicioni janë Kejsi Sinani, Alex Gjonaj dhe Eden Dani! David Kerri ndërpreu këtë mbrëmje rrugëtimin e tij në “X Factor Kids”, duke mos u dorëzuar për të ndjekur ëndrrat dhe pasionin për muzikë.
Rruga drejt finales sapo u bë edhe më e fortë… dhe spektakli premton surpriza edhe më të mëdha! /tvklan.al/




