Nuel Kalaj është një nga personat më të anatemuar kohët e fundit në Shqipëri. Kërkohet që ai të dëshmojë për çështjen e shumë përfolur CEZ, por në fakt mund të gjendet lehtë nëse dikush nga shtetarët tanë “ka muhabet” me… Ramush Haradinajn. Të paktën po të gjykosh nga disa foto që Nuel Kalaj, në njërin prej tre profileve që ne mundëm të gjejmë në Facebook, ka me kryeministrin e vendit.
Por ajo që na tërhoqi vëmendjen ishte shitja e një fotoje të Nuel Kalaj e Ramush Haradinaj si “ekskluzive”, madje e datës 3 korrik 2018. Mashtrim kokë e këmbë i asaj që pretendon të jetë media kombëtare dhe e pagabueshme. Madje, i kërkon llogari edhe portaleve se po vjedhin. Kush është më e rëndë për një kompani “serioze” mediatike: e verteta apo disa klikime më shumë duke mashtruar audiencën.
Fotoja “ekskluzive” e Nuel Kalaj me Ramush Haradinaj, gjendet lehtësisht në një nga profilet e “sekserit” të CEZ në Facebook. Ajo është publikuar në Facebook jo me 3 korrik 2018 siç mashtron lexuesit e saj media kombëtare “prestixhoze”, por me 2 shtator 2017, gjatë fushatës elektorale. Dhe personi tjetër që kjo palo media kombëtare nuk arrin të identifikojë, është Lulzim Kabashi, kandidat i AAK. Po të doni foto “ekskluzive”, ju tregojmë profilin ku e gjeni vetë. Nëse keni pak durim e dini të shkruani shqip… Siç e shihni edhe në foton poshtë, vazhdon të jetë lajmi më i klikuar edhe pse një MASHTRIM i pastër!
E sa për këto mediat kombëtare “prestixhoze” që japin edhe mend për portalet, bëjnë mirë të mos mashtrojnë kaq shqeto. Ua thamë edhe dje, sa të jetë Facebook, mbijetojnë edhe portalet. Madje edhe pa mashtruar, të paktën jo kaq hapur sa ju. /Shënim i ShkodraWeb/