NEWS I ShkodraWeb.com

ShkodraWeb Media – E Verteta të bën të lirë!

Euro vazhdon rritjen në Shqipëri, nga pas e ndjek edhe dollari amerikan, ekspertët: Rritja është artificiale…

Monedha e përbashkët e ka nisur javën me një tjetër mbiçmim të fortë ndaj lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 131.06 lekë, me rritje 2.89 lekë në raport me fundin e javës së kaluar. Ky është niveli më i lartë që nga prilli i vitit 2018 (shih grafikun). Që nga data 12 mars, kur filloi dhe kufizimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve ekonomike, si një masë për të kufizuar përhapjen e infeksionit të virusit, euro është rritur me 8.27 lekë.

E fortë ishte dhe rritja e dollarit, që u këmbye sot me 118.3 lekë, me rritje 1.74 lekë në krahasim me fundin e javës së kaluar. Dollari ka arritur në nivelin më të lartë që nga qershori 2017. Ndërsa që nga fillimi i karantinës është rritur me 10.5 lekë.


Aktorët kryesorë të tregut të këmbimit valutor thonë se situata vazhdon të jetë e njëjtë. Për më tepër këto dy ditë duhet të të derdhen detyrimet e biznesit ndaj shtetit, si psh tatimfitimit dhe deri më tani kanë parë se mundësia për të kryer këto pagesa ka qenë e pakët.

Gjithashtu, ekspertët argumentojnë se kufizimi i mëtejshëm i qarkullimit, ku del vetëm një anëtar i familjes me leje për vetëm një orë, ka ulur më tej qarkullimin e parasë, ku shpenzimet janë ulur në minimum. Ata i qëndrojnë mendimit se rritja është artificiale, e kushtëzuar nga situate aktuale.

Një tjetër faktor që ka ndikuar është dhe ndalimi i fluturimeve, çka ka bërë që bankat të mos arrijnë që të sjellin valutë në vend, duke ulur ofertën për euro, në nje kohë që kërkesa për valutë ka qenë e lartë sidomos nga treguesit e ushqimeve, që janë të detyruar me vendim qeveria që të sigurojnë rezerva për tre muaj. /Monitor/

Copyright © ShkodraWeb Media ׀׀ Të gjitha materialet tona mund të përdoren lirisht nga mediat e tjera por duke përmendur burimin se nga është marrë informacioni.
Për t’u abonuar në kanalin tone në YouTube ShkodraWeb TV mjafton të klikoni: SUBSCRIBE dhe do të informoheni me lajme me video por dhe argëtoheni pa fund me humor të zgjedhur! Për të marrë njoftime për video të reja, ABONOHU tani!