Federata Shqiptare e Futbolli nëpërmjet Komisionit të Etikës, ka filluar mbledhjen e fakteve dhe të dhënave, në lidhje me ndeshje e ditës së djeshme mes Bylisit dhe Tiranës, të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës, e cila u mbyll 2-1 për vendasit, por kishte dyshime të mëdha, për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në ndeshje.
Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës ka risjellë në skenë ndeshjet e çuditshme dhe dyshimet e forta.
“Estrada e Ballshit” dha dje një shfaqje në një stadium të boshatisur, por që u ndoq drejtpërdrejt nga shumë sy nëpërmjet ekraneve të televizionit.
Bylis-Tirana pati elemente të një ndeshjeje të dýshimtë, ku përveç paraqitjes së aktorëve të fushës, rezultati vërtetohet edhe nga lëvizjet e çuditshme të koeficienteve të kompanive të basteve, por edhe të kompanive vendëse që veprojnë në mënyrë ilegale, pasi dihet se bastet sportive janë të ndaluara në Shqipëri.
Nga burime të sigurta mësohet se nga dje dhe deri sot janë grumbulluar pamjet filmike dhe deklaratat e protagonistëve pas ndeshjes, për fillimin e një hetimi ndaj këtij takimi të shumëpërfolur. Të gjitha do të studiohen me kujdes, për të hedhur dritë mbi atë që ndodhi ditën e djeshme në Ballsh.
NJOFTIMI I FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.
Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova.
Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen.