“Është herët të flasim për titull”, Xhaferi sheh Vllazninë pretendente: Fitorja në Tiranë të gëzon edhe për shkak të situatës së vjetshme

Incidentet mes tifozerive të Tiranës dhe Vllaznisë në ndeshjen e sezonit të kaluar në Superiore nuk janë harruar në Shkodër dhe kjo kuptohet nga fjalët e presidentit të kuqebluve, Alban Xhaferi. Ky i fundit tha pas suksesit të sotëm të Vllaznisë në “Selman Stërmasi” se ishte një arsye më shumë për të festuar, por ndërkohë theksoi se skuadra nuk duhej të fillonte që tani të mendonte për titullin meqë mundi kampionët.

“Mendoj se skuadra bëri një lojë shumë të mirë dhe e meritoi plotësisht fitoren. Sigurisht që fitorja këtu në Tiranë të gëzon edhe më shumë për shkak të rrethanave të situatave të sezonit të kaluar. Por mendoj se duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të ecim në këtë rrugë dhe të bëjmë gjëra të bukura.


Jam i kënaqur por sigurisht ndoshta në momente të caktuara mund të bëjmë më mirë. Nuk duhet të jemi të kënaqur, duhet të përmirësohemi, por në fund duhet të jemi të lumtur që morëm rezultat pozitiv.

Tifozët? Duhet t’i falënderoj se pa ata nuk ekzistojmë, thjesht të na mbështesin sa më shumë.

A vlen shumë kjo fitore? Sigurisht, bëhet fjalë për një rival direkt e kampion në sezonin e kaluar. Vlen por është fillimi dhe gjithçka ka kohën e duhur. Kampionati është i gjatë, ka shumë surpriza dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

Mendoj se skuadra mund të bënte më shumë dhe ndoshta një gabim i Markut nuk duhej se ishim 2-0 dhe ishim dominues. Janë momente që duhet të mësohen dhe përmirësohen në vijim.

Futbolli nuk ka mëshirë dhe nuk është fjala e duhur por mendoj se luajtëm për të fituar dhe nuk është se i lamë gjë mangut në këtë pjesë.

Për titull? Është shumë herët, kemi kampionat boll dhe duhet të jemi plotësisht me këmbë në tokë”, theksoi Xhaferi.