Sot mposhtën edhe Skënderbeun, rivalin e fundit. Me të u bënë tetë skuadra që Vllaznia e volejbollit të meshkujve ka mundur këtë kampionat. Ose thënë ndryshe, i ka mundur të gjithë ekipet pjesmarrëse të kampionatit.
Një fazë e parë e mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe trajneri Ermal Kraja ndjehet mjaft mirë me këtë arritje të ekipit të tij. “Sot ndaj Skënderbeut skuadra ndoshta nuk dha më të mirën e saj, ndoshta ngaqë na duhej ta fitonim me çdo kusht këtë ndeshje për ta mbyllur si duhet fazën e parë të kampionatit.
T’i fitosh të tetë ndeshjet e luajtura, ky është një tregues i një force të kësaj skuadre, i kualiteteve që ajo ka dhe i punës që kemi bërë bashkë me sportistët. Ndoshta askush nuk na mori seriozisht në fillim të kampionatit por kjo Vllazni tashmë është një realitet.
E rëndësishme është që të vazhdojmë në këtë mënyrë. Do të ishte mëkat nëse ajo nuk do të kurorëzohej me trofe këtë sezon. Do të jetë e vështirë, megjithatë kjo intervistë mund të shërbejë edhe si apel për ata që kanë diçka në dorë për të na ndihmuar.
Vllaznia ka nevojë për mbështetje sepse e meriton në fakt. Tetë ndeshje, tetë fitore janë një arritje e këtij ekipi dhe prandaj këto suksese duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen”. /Burimi:ShkodraSport/