“Erdhi në këmbë, ishte i maskuar, u afrua dhe…”, ekzekutimi i 74 vjeçarit në Shkodër, zbardhet dëshmia e djalit

Ndërsa mbetet mister autori i vrasjes së të moshuarit Lulash Qepuri në fshatin Stom Golem të Njësisë Rrethina mbrëmjen e së mërkurës, dyshimet kryesore të Policisë janë se krimi mund të ketë ndodhur pasi viktima jepte para me fajde.

Policia vendore ka informacione të siguruara në rrugë operative se 74-vjeçari ka lëshuar para me fajde dhe ky mund të jetë shkaku që ka çuar në vrasjen e tij.


Ndërkohë, djali i tij, i cili u shoqërua në Polici menjëherë pas vrasjes, ka treguar para oficerëve të Policisë gjyqësore edhe dinamikën e krimit të rëndë. Ai ka qenë i pari që ka parë autorin e krimit duke qëlluar me armë zjarri babanë e tij dhe i pari që ka lajmëruar edhe Policinë.

Burri tregon se autori ka qenë i maskuar dhe ka ardhur i vetëm në këmbë në drejtim të lokalit, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të të moshuarit, i cili ishte në karrocë invalidi.

“Ndodheshim në lokalin tonë në Stom Golem bashkë me babanë. Një person i maskuar në fytyrë u afrua dhe qëlloi me pistoletë në drejtim të babait, duke e lënë të plagosur rëndë.

Në atë moment u mundova që me shumë shpejtësi të futem brenda për të marrë armën e gjuetisë që e kemi me leje, për t’u vetëmbrojtur, por kur dola unë, autori ishte larguar. Ka ardhur nga ura e Bardhajve në drejtimin tonë, i vetëm në këmbë dhe po ashtu është larguar në atë drejtim duke vrapuar. Qëllova me shotgan, por kishte ikur me shpejtësi. Në atë moment, telefonave ambulancën për ndihmën e shpejtë dhe Policinë duke u thënë se më kanë vrarë babën. Nuk e di se kush mund të jetë autori”, mësohet të ketë deklaruar djali i 74-vjeçarit.

Lulash Qepuri humbi shumë gjak pasi u qëllua me pistoletë. I moshuari u transportua me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por pas afro dy orësh, humbi jetën në spital, duke mos arritur që t’u bëjë ballë plagëve të rënda.

Policia ka disa dyshime paraprake dhe ka shoqëruar disa persona, por deri më tani ende nuk është identifikuar autori i këtij krimi të rëndë.

Viktima Lulash Qepuri në vitin 2011 është arrestuar si i dyshuar për drogë dhe armëmbajtje pa leje. 74- vjeçari mësohet se ka të paktën 7 plumba në trup, prej të cilëve edhe në kokë dhe fytyrë.

Ndërkohë, djali i viktimës ka qëlluar të paktën me 10 plumba, edhe pse autori kishte ikur dhe në total janë 26 gëzhoja në vendngjarje. Efektivët kanë ngritur pika të shumta kontrolli dhe janë duke krehur zonën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit.

Lokali ku ndodhi vrasja është i pajisur me kamera sigurie dhe Policia i ka sekuestruar, duke mësuar edhe dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia e Shkodrës u mjaftua me një njoftim të shkurtër rreth ngjarjes.

“Rreth orës 21:40, në fshatin Stom Golem, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri në rrethana ende të paqarta shtetasi L. Q., rreth 76, vjeç, i cili ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të vlefshme që do të shërbente për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në reagim. /Nga Senad NIKSHIQI/