“Erdhëm për të marrë ‘borxhin’”, vajza e bisnesmenit të grabitur: Grabitësit na njihnin….

Policia dhe Prokuroria e Krujës kërkojnë bashkëpunimin e biznesmenit për të zbardhur grabitjen me dhunë në banesën e tij, pasi grupi i hetimit ka dyshime të forta se autorët janë persona të njohur të Nazmi Çangut.

Vetë biznesmeni ka deklaruar se nuk ka asnjë ide se kush mund të jenë autorët, por vajza e tij ka thënë në dëshminë e dhënë për hetuesit se njëri prej autorëve ishte pa maskë dhe i është dukur fytyrë e njohur dhe se diku e kishte takuar.


Xhelona ka deklaruar ndër të tjera se njëri prej autorëve i ka pohuar se kishin ardhur për të marrë borxhin që babai i saj u kishte.

“Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllanë dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë: ‘Do marrim borxhin që na ka babai juaj, Nazmiu’”, ka deklaruar Xhelona Çangu.

“NJËRI ISHTE PA MASKË”

Vajza e biznesmenit ka deklaruar para grupit hetimor se njëri prej autorëve ishte pa maskë dhe se ka mundur ta shquajë atë.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha ‘pusho’. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë.

Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç.

Në këtë moment personi tjetër i maskuar i tha: ‘Vendose kapuçin more budalla’. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë, e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku”, mësohet të këtë rrëfyer vajza e biznesmenit.

“GRABITËSIT KOMUNIKONIN ME TELEFON”

Bazuar në dëshminë e vajzës, skuadra e grabitësve që operonte në ambientet e brendshme të vilës së familjes Çangu dirigjohej nga një person tjetër që i urdhëronte nëpërmjet telefonit.

“Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë”, tha vajza për hetuesit.

Bazuar në dëshminë e Xhelona Çangut, hetuesit besojnë se autorët janë të njohur të biznesmenit dhe krahas grabitjes, kanë futur edhe pistën e mësymjes me dhunë në vilë për t’i marrë “borxhin” Nazmiut.

Ndaj, nëse ka ndonjë mundësi të zbardhjet kjo ngjarje dhe të identifikohen autorët, kërkohet bashkëpunimi i vetë biznesmenit, i cili është një personazh me shumë dritëhije.

Hetuesit kanë dërguar në laborator kapelën e gjetur në oborrin e vilës që dyshohet të jetë e autorëve dhe presin përgjigjet e ADN-së. Ngjarja u regjistrua mëngjesin e së dielës në Nikël të Krujës, ku autorët pasi dhunuan biznesmenin, u larguan me sende me vlerë të familjes dhe një shumë të madhe parash, vlera e të cilave sipas biznesmenit është 100 mijë euro.

Policia ka shoqëruar një numër të madh personash të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme deklaroi se nuk ka asnjë të ndaluar.