
Kristian Marku është identifikuar si 30-vjeçari që mbeti viktimë e të shtënave me armë zjarri pasditen e sotme në aksin Fier-Vlorë.
Marku, dinamika e vrasjes së të cilit ende mbetet e paqartë, nuk është një emër i panjohur për autoritetet e policisë, pasi ai ka precedentë të mëparshëm penalë për “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Në vitin 2023 Kristian Marku alias Kristi Bardhi është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të atij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtetasit me iniciale Saimir Reçi.
Më tej, në shtator të vitit 2023, Marku është arrestuar nga policia e Kurbinit pasi është kapur me një armë zjarri tip pistoletë të cilën e mbante pa leje.
Mësohet se asokohe, Marku është sinjalizuar nga shërbimet e policisë për të ndaluar në afërsi të fshatit Shëmri të Kurbinit, por sapo ka vërejtur autoritetet ai ka hedhur armën e mbushur me fishekë nga dritarja e makinës në të cilën ndodhej.
Shtetasi Kristian Marku alias Kristi Bardhi eshte nga Mirdita dhe rezulton te jete nipi i Martin Bardhit te vrare ne Rreshen ne shtator te vitit 2023.
Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të veprimeve hetimore lidhur me vrasjen me armë zjarri të shtetasit K. M., në autostradën Fier-Vlorë, pranë vendit të quajtur “Kripa”, është gjetur i djegur automjeti tip “Volkswagen Golf”, i dyshuar i përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje. Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat e automjetit tip “Golf” janë denoncuar të vjedhura më herët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore dhe këqyrjen e automjetit të djegur për të siguruar çdo gjurmë që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.