
Është ekstraduar nga Britania e Madhe, 42-vjeçari Lekë Prendi i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e priftit, Gjovalin Prendi gjatë një grabitjeje autobusi në Kukës.
Interpol Tirana ka bërë ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, të një personi të shumëkërkuar, i cili rezulton i dënuar me 21 vite burgim, për vrasje.
“Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga specialistët e Interpol Tirana, falë koordinimit dhe bashkëpunimit me autoritetet policore të Mbretërisë së Bashkuar, u bë ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit: Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani, 42 vjeç”, njofton policia.
Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas me 21 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja” e kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtja pa leje” .
Lekë Prendi pas vrasjes së priftit ishte larguar drejt Britanisë dhe pretendonte se ishte refugjat me emrin kosovar Aleks Koka. Këtë emër ai e përdorte edhe kur u arrestuar nga policia britanike në korrik 2013.
Ai u identifikua përmes gjurmëve të gishtërinjve si vrasësi i priftit Gjovalin Prendi në 10 prill 2000 gjatë një grabitje të armatosur rreth orës 23:00 të një autobusi të mbushur me 22 klerikë në Pukë.
Lekë Prendi ishte pjesë e një bande prej 5 grabitësish të maskuar, të cilët i bënë pritë autobusit me klerikë për t’i grabitur. Por arma e 42-vjeçarit u shpreh aksidentalisht duke vrarë priftin.
Ai i shpëtoi arrestimit dhe në dhjetor 2000 u dënua me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!