Ka shkuar në pesë numri i persona të vënë në pranga si të dyshuar të përfshirë në grabitjen në aeroportin e Rinasit, ndërsa është zbuluar edhe identiteti i të kapurit të fundit. Në prangat e policisë ka rënë 32-vjeçari i identifikuar si Elton Pikli nga Kruja. Sipas polcisë, ai u arrestua mbrëmë në mesnatë, në areoportin e Rinasit, ku po tentonte të largohej drejt Bullgarisë. Mësohet se 32-vjeçari kishte lidhje me Oltian Veseli, një nga katër personat e prangosur dy ditë më parë, si edhe me grupin Kupa.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, ju informojmë se mbrëmë në mesnatë është kapur dhe ndalur shtetasi E.P banues në Krujë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, njofton polcia.
Ndërkohë, një ditë më parë, policia njoftoi arrestimin e katër personave të tjerë të dyshuar pjesëmarrës në grabitje. Deri më tani janë arrestuar: Oltian Veseli, Alkon Bengasi, Renaldo Sula dhe Saimir Çela.
Ndaj 4 të arrestuarëve rëndojnë akuzat e “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, ”Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” “Vrasje e Punonjësve të Policisë “ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.
Ndërkohë, njëri prej të dyshuarve, Alkond Bengasi, në deklarimet që ka dhënë më herët në Prokurori ka pranuar akuzat duke treguar edhe detaje sesi funksiononte grupi si dhe sesi u planifikua grabitja në Rinas.