
Shkodra është tronditur sërish në orët e para të datës 17 nëntor. Një eksplozion i fortë ka prishur fillimin e natyrshëm të një dite, duke rikthyer panikun e ankthin në këtë qytet.
Ka qenë rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, kur në lagjen “Ahmet Haxhija” të Shkodrës, është dëgjuar një shpërthim shumë i fortë në banesën e shtetasit Besar Gushta. Fatmirësisht, nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale dhe nuk ka persona të dëmtuar.
Në përgjigje të interesit të mediave, Gushta deklaroi se ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkak të detyrës si inspektor terreni për mbledhjen e taksave dhe tarifave në Drejtorinë e të Ardhurave pranë Bashkisë Shkodër, pozicion të cilin ai e mban që nga viti 2007.
Ai dyshon dyshon se ngjarja e rëndë lidhet me një konflikt i cili ka lindur gjatë kontrollit në një biznes, tek i cili Gushta ka shkuar për të vjelë taksat, teksa pronari i biznesit e ka kërcënuar duke refuzuar për dhënien e detyrimeve tatimore. Këtë pretendim ai e ngre me dyshimet pasi pak ditë para shpërthimit ka pasur edhe një kërcënim në rrugë nga përsoni në fjalë.
Rasti i Besar Gushta është vetëm ai i radhës, në një qytet si Shkodra, i cili përditë e më shumë po bëhet i pasigurtë për jetën. Prej kohësh përplasja mes bandave ka shkaktuar shumë të vrarë, të rrëmbyer e të zhdukur, të plagosur e gjymtuar teksa policia është e pafuqishme për të mbajtur nën kontroll territorin, aq më pak ti ndalojë akte të tilla të rënda. /ShkodraWeb/