Dje gjatë prononcimit të tij pas ndeshjes ndaj Besëlidhjes që i siguroi Vllaznisë qëndrimin sërish në Superligë, sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferi u shpreh se klubi shkodran tani do të kishte një drejtor të ri sportiv i cili do të ishte kroat, por nuk preferoi të jepte emrin e tij.
Që mbrëmë emri i tij në fakt u zbulua dhe bëhej fjalë për Matko Djarmatin, ish- futbollistin e disa skuadrave në vendin tonë, ndërkohë që prej disa vitesh bën edhe rolin e opinionistit në një platformë sportive në kryeqytet.
Por ndërkohë tashmë nuk është më “sekret” as në klubin Vllaznia. Ka qenë vetë sponsori Xhaferi që e ka konfirmuar atë gjatë emisionit “Sport Arena” në TV Rozafa ku ka qenë i ftuar.
“Jemi në negociata për të finalizuar marrëveshjen me një drejtor të ri sportiv që është një kroat, pikërisht Matko Djarmati dhe besoj se në ditët në vijim do të bëhet edhe zyrtarizimi i tij. Ne jemi në proces binjakëzimi me një klub kroat dhe për rrjedhojë edhe kandidatur e tij doli në skenë pikërisht prej këtij projekti.
Zgjodhëm këtë person ngaqë ka një eksperiencë të mirë në futbollin shqiptar, e njeh në hollësi atë, ka shumë lidhje dhe njohje, po ashtu njeh mirë edhe punën e skautit dhe prandja dolëm në konkluzionin që ishte zgjedhja e duhur për të filluar rindërtimin e Vllaznisë”- është shprehur ai.
Në fakt çështja e drejtorit të mëparshëm Engin Firat është komentuar shumë ngaqë nuk ka kaluar shumë kohë në Shqipëri dhe për rrjedhojë, i pyetur nëse edhe Djarmati do të veprojë kështu, sponsori Xhaferi është përgjigjur:
“Matko Djarmati do të qëndrojë në Shkodër 100 për qind të kohës. Do jetë gjithë kohën pranë ekipit, do japë asistencën e tij çdo hallke sportive të klubit”.