
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth mesditës së sotme në Shkodër, në zonën e Tophanës. Një zjarr ka përfshirë një banesë, ku për pasojë ka mbetur i djegur brenda një i moshuar rreth 79 vjeç, i identifikuar si Musa Pajati.
Mësohet se i moshuari ishte i sëmurë dhe i paralizuar. Ai jetonte vetëm me bashkëshorten e tij, e cila në momentet që ka rënë zjarri është arritur të shpëtohej nga komshinjtë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse duke bërë të mundur shuarjen e flakëve.
“Ishin burrë e grua, pa fëmijë, pa askënd në botë. Janë djegur disa herë, askush nuk ka vënë dorë, as shteti, as bashkia. Të dy janë sakatë, unë e shpëtova atë grua, nuk munda më të duroja, ai plaku plasi i shkreti.
Vdekja e tyre është me dashje, me qëllim, sepse nuk kanë dashur të vënë dorë. Këta ishin të sëmurë, pa këmbë e pa duar. Shkoni e shikoni edhe gruan, ajo ka qenë grua zonjë, e njoh, por s’i ka falur Zoti fëmijë dhe i kanë lënë këtu për të vdekur. Nuk kanë asgjë”, shprehet banori i lagjes.
Ndërkohë, shefi i teknikës i OSHEE, Paulin Qarri, shprehet se ngjarja nuk ka ndodhur nga energjia elektrike.
“Nuk ka asnjë defekt prej elektrikut, zjarri ka ardhur nga gazi. Absolutisht nuk ka qenë shkak energjia elektrike. Kemi kontrolluar automatët, i ka ulur elektricisti në momentin që janë lajmëruar. Prej elektrikut nuk ka asnjë lloj problem”, thekson ai.
Shkodër/ Informacion paraprak
Më datë 03.02.2022, rreth orës 13:30, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka rënë zjarr në katin e parë të një pallati. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetas M. Z. 79 vjeç, dhe ka pësur djegie bashkëshortja e tij e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet PMNZ, ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.




