Gjykata e Tiranës ka lënë pas hekurave 5 personat e arrestuar në Shqipëri për trafik armësh. Në qeli u lanë Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleu Mucalliu dhe Tonin Shkami, të cilët akuzohen se janë pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të armëve.
Gjatë seancës ata kanë pretenduar që s’janë përfshirë në trafikun e armëve dhe se nuk kanë pasur dijeni për aktivitetin e Valter Osmanit.
Nëpërmjet avokatëve pretenduan se e vetmja akuzë që mund të qëndroj në këtë rast është ajo e prodhimit dhe shitjes së armeve. Por, togat e zeza caktuan ndaj tyre masën e sigurisë burg pa afat.
Gjashtë persona u arrestuan në lidhje me trafikun e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë, në një operacion të përbashkët mes dy shteteve. Në Tiranë në pranga janë vënë, Euxhenio Manushi 20 vjeç, Endri Papa 34 vjeç, Aurel Manreka 28 vjeç, Gersi Llozha 22 vjeç, Kleos Mucalliu 26 vjeç dhe Tonin Shkami 53 vjeç. Ndërkohë në Kosovë është arrestuar edhe ‘koka’ e grupit. Valter Osmani, shqiptari i Kosovës dyshohet se ishte në kry të grupit që trafikonte armë të kalibrave të ndryshëm nga Kosova në Shqipëri dhe jo vetëm. Provat kundër tij u gjetën në një banesë në zonën e “Kombinatit” në Tiranë, pasi aty qëndronte sa herë vinte për tregtinë e armëve.
SKEMA
Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtune dhe të dielë për kalimin në kufi, pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrollohen dhe kjo ishte në favor të trafikantëve. Shpeshherë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo me para, por edhe me kokainë.
Shkëmbimi i armëve me kokainë bëhej nga 25 deri në 30 gram për pistoleta dhe sasi më të madhe për armët më të sofistikuara. Këto të fundit ishin kryesisht sportive dhe dyshohet se modifikoheshin në Kosovë, por autoritet atje akoma nuk kanë gjetur vendin apo bazën ku kryhej procesi.
Në këtë aksion, zbulohet se një nga anëtarët e bandës së trafikut të armëve është Euxhenio Manushi, djali i muzikantit të njohur Ad Sybardhit. Ky i fundit vetëm pak ditë më parë u kap në Tiranë me 1.5 kg kokainë dhe aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit. Manushi interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë.Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri.