Ka rinisur në Shkodër vala e emërimeve në administratën lokale në Shkodër. Burime të besueshme thanë për ShkodraWeb se janë caktuar emrat që do të drejtojnë ALUIZNIN dhe Drejtorinë e Doganave.
Kështu, në krye të ALUIZNIT është vendosur një ish- zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme. Ai është Arbër Spahiu, i cili nga dita e sotme është komanduar në krye të drejtorisë së Shkodrës. Për personin në fjalë nuk ka shume informacione, por mësohet se do të qëndrojë në detyrë deri në gjetjen e një emri të përshtatshëm për ta emëruar. Në këtë detyrë ka qënë Tonin Marku, më herët edhe drejtor i Spitalit Rajonal të Shkodrës, me profesion jurist.
Një tjetër emër i njohur në mes socialistëve të Shkodrës duket se ka gjetur një pozicion shumë të mirë. Bëhet fjalë për Teuta Qyteza, e cila sipas burimeve që folën për ShkodraWeb është vënë në krye të Drejtorisë të Doganave Shkodër. Deri në këto momente nuk është saktësuar nëse bëhet fjalë për drejtorinë e Shkodrës apo për atë rajonale. Duket se Qyteza pason në këtë detyrë Helidon Bele. Teuta Qyteza- Shala në zgjedhjet e 25 qershorit ishte pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun Shkodër. Më herët është përfolur edhe si kandidate për postin e prefektit të Shkodrës që më vonë u muar nga Çesk Millja- ushtarak.
Në ditët në vijim pritet të ketë emërime të tjera në pozicione të rëndësishme.