EMRAT – Qeveria miraton “pensionet e posaçme”, pavarësisht figurave unikale në art e sport asnjë nga Shkodra

Viti 2020 vjen me lajme të mira për 14 artistë, sportistë dhe ish-të përndjekur, të cilët në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave, të marrë më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, kanë fituar të drejtën për pension të posaçëm. Ajo që bie në sy menjëherë është fakti se Shkodra si rajon, pavarësisht figurave unikale në sport e art, nuk ka asnjë person që përfiton pension të posaçëm. Vetëm një person, nga ish- të perndjekurit politikë, është përzgjedhur nga Shkodra.


Për sa i përket kulturës, piktori i filmit Shyqyri Sako, i cili vitin që lamë pas çeli edhe ekspozitën e tij personale “Duke pikturuar filmin” në Qendrën për Hapje dhe dialog, mundi ta merrte pensionin e posaçëm vetëm në moshën 83-vjeçare, pavarësisht kontributit të gjerë në kinematografi. Po ashtu, pensioni i posaçëm është miratuar edhe për poetin Visar Zhiti.

Në bazë të vendimin nr. 894, Këshilli i Ministrave ka vendosur “dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror z. Visar Hekuran Zhiti, në masën e katërfishit të pensionit social, por shuma e pensionit, që përfiton sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, plus këtë shtesë, të mos kalojë tetëfishtin e pensionit social”.

Është aprovuar pensioni i posaçëm edhe për shkrimtarin Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh”, i njohur edhe për kontributin e gjerë në Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria”. Ndonëse është dëgjuar apeli i bërë publikisht nga autori i këngëve Jorgo Papingji, duket se qeveria ka lënë mënjanë figura të tjera të kulturës, si shkrimtari për fëmijë Gaqo Bushaka.

Në fletoren zyrtare, mes emrave figuron edhe sportisti Shyqyri Ballgjini, i cili ka luajtur shumicën e viteve të karrierës me “Dinamon”. Ballgjini, i cili mban dhe titullin “”Legjenda e futbollit shqiptar” është konsideruar si një nga sulmuesit më të mirë në epokën e tij, duke shënuar më shumë se 100 gola në Kampionatin Kombëtar dhe më shumë se 50 në ndeshjet për Kupën e Republikës.

Nga futbolli, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 890, është atribuuar pension i posaçëm dhe për trajnerin dhe futbollistin Faruk Sejdini. Nga sporti i jepet pensioni special edhe ish-volejbollistes Ela Tases, e cila mban titullin “Mjeshtre e merituar”. Tase ka qenë 16 herë kampione kombëtare në volejboll, 14 herë fituese e Kupës së Shqipërisë, 10 herë fituese e anketës sportive “10 sportistët më të mirë të vendit”.

Ajo është cilësuar volejbollistja më e mirë shqiptare e të gjitha kohërave. I konsideruar si artisti i basketbollit, pensioni i posaçëm i është atribuuar edhe Viktor Papavangjelit.

Nga muzika i është njohur e drejta për pension të posaçëm këngëtarit Hysni Zela, vëllait të artistes Vaçe Zela. Vendimi për pension të posaçëm i marrë nga qeveria një ditë përpara Krishtlindjeve ka përfshirë edhe ishsportistët Valentina Shehi, Ndriçim Spahiu, Rauf Dimraj dhe Edgar Prifti.

Për sa u përket ish-të përndjekurve, pension të posaçëm ka fituar edhe Zenel Drangu, i cili është dënuar gjatë sistemit komunist me 25 vite burg arratisje, të cilat i ka kaluar në burgun e Spaçit. Drangu, gjatë periudhës së burgut, ka punuar si minator, si dhe ka qenë pjesë e “Revoltës së Spaçit” të zhvilluar në datat 21–23 maj 1973. Aktualisht, ai mban postin e kreut të shoqatës së ish-të përndjekurve në qytetin e Shkodrës.

LISTA

1. Shyqyri Ballgjini – ish-futbollist

2. Faruk Sejdini – ish-futbollist

3. Shyqyri Sako – piktor

4. Zenel Drangu – ish-i përndjekur

5. Ela Tase – ish-sportiste

6. Visar Zhiti – shkrimtar

7. Ago Nezha – shkrimtar

8. Viktor Papavangjeli – ish-basketbollist

9.Valentina Shehi (Myrto) – ish-sportiste

10. Ndriçim Spahiu – ish-sportist

11. Hysni Zela (këngëtar) vëllai i artistes së madhe Vaçe Zela

12. Jorgo Papingji – autor këngësh

13. Rauf Dimraj – ish-sportist

14. Edgar Prifti – ish-sportist

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!