EMRAT – Pas miratimit të shitjes së aksioneve, rritet “oreksi” për pjesëmarreje në ankand për Vllazninë…

Ditën e sotme ish- presidenti më i suksesshëm i Vllaznisë pas të ndjerit Myftar Çela, bisnesmeni i njohur Valter Fushaj zyrtarizoi interesin e tij për pjesëmarrje në ankandin për shitjen e aksioneve të klubit kuqeblu. Bashkë me Alban Xhaferin, duket se Fushaj nuk është i vetmi i interesuar për ankandin për shitjen e aksioneve.


Gjatë emisionit “Studio Sport” në RTSH Shkodra, ku ai ishte i ftuar mesditen e sotme, avokat Haxhi, përmendi emrat e ish presidentit të Vllaznisë, Agron Çela, zëvendëspresidenti Xhevdet Amuli, antarit të kryesisë Flamur Hoxha, të cilët si ish kontribues financiar në futbollin shkodran janë të interesuar për të qënë pjesë e ankandit për blerjen e aksioneve të Vllaznisë.

Por, përpos tyre, Haxhi përmendi një kompani tjetër të njohur të biznesit shqiptar, atë “Kastrati”, që në fakt, vite më parë pati shfaqur interes për Vllazninë, por më tej nuk dihen arsyet se përse ai u pat tërhequr nga pretendimet e tij.

Në fakt, procesi i shitjes së aksioneve të KF Vllaznia me ankand, nuk pritet të jetë i shpejtë. Fillimisht, duhet të jetë Prefekti i Qarkut Shkodër që do të miratojë vendimin e Këshillit Bashkiak për shitjen 100% të aksioneve të klubit. Në vijim, do të përcaktohen kriteret apo rregullat për pjesëmarrje në tender.

Më pas, do të shpallet tenderi, pasi të përcaktohet forma e tenderit dhe të priten ofertat e mundshme. Ato do të shqyrtohen për të verifikuar nëse plotësohen kriteret e paracaktuara për pjesëmarrje në ankand. Ajo që është e sigurtë, do të jetë një bashkëveprim në mes Ministrisë së Ekonomisë dhe Bashkisë së Shkodrës. Pas të gjitha këtyre etapeve, mund të shpallen fituesit e ankandit për shitjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Deri tani, është konsumuar vetëm hapi i parë: Si pronar, Këshilli Bashkiak ka miratuar shitjen 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Sipas gjasave, vështirë që procesi të përfundojë gjatë këtij sezoni futbollistik. /ShkodraWeb Media/


ShkodraWeb Channel