Ministri i Jashtëm, presidenti dhe kryeministri në largim i Kosovës, futen në 10 zyrtarët e lartë të Kosovës me rritjen më të madhe të pasurisë në tre vitet e fundit. Të dhënat janë bërë të ditura në platformën e krahasimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë nga viti 2010 deri në vitin 2019, të prezantuar nga Lëvizja Fol. Objekt krahasimi në këtë platformë janë rreth 500 zyrtarë të Kosovës.
Politikani më i pasur i Kosovës është ministri i Jashtëm dhe zv/kryeministri Behgjet Pacolli. Pasuria e tij arri në 724 milionë euro. Në vend të dytë renditet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pasuria e të cilit arrin në 4.3 milionë euro.
Kryeministri i sapodorëhequr Rramush Haradinaj, ka një pasuri të deklaruar prej 1.9 milionë eurosh.
Në listën e pesë zyrtarëve më të pasur vazhdon të jetë edhe zv/kryeministri Hajredin Kuçi, me 1.4 milionë euro si dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj me 882 mijë euro pasuri të deklaruar.
E veçanta e kësaj platforme sipas drejtoreshës së organizatës Lëvizja Fol, Mexhide Demollit, është krahasimi i të gjithë zyrtarëve të lartë publikë që nga viti 2010 deri në vitin 2019, duke filluar nga krerët e shtetit, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të cilët kanë mbajtur poste publike. Ajo theksoi gjithashtu se shumë zyrtarë nuk i deklarojnë pasuritë e tyre.
‘Janë rreth 500 zyrtarë publik të cilët janë në këtë platformë. E veçanta e kësaj platforme është se mund të bëhet krahasimi i gjithë atyre zyrtarëve prej vitit 2010 deri në vitin 2019, për kohën sa ata kanë mbajtur pozita në institucionet shtetërore. Kjo platformë përmes filtrave të ndryshëm na mundëson që të bëjmë krahasime, duke filluar nga të gjitha pozitat, që të shohim pasurinë e të gjithëve’, ka theksuar drejtoresha Demolli.
Lëvizja Fol ka bërë me dije se të dhënat e përdorura janë marrë nga raportet e publikuara nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), por të përpunuara.