EMRAT – Kush janë “Mjekra” dhe “Tullaci”, 2 shqiptarët kërkohen nga policia peruane për 2.2 ton kokainë…

Janë identifikuar dy shqiptarët e kërkuar nga policia peruane për 2.2 tonë kokainë të kapur në këtë shtet disa ditë më parë me destinacion Holandën.

Sipas mediave peruane, eksportuesi paguante për trafikantët e drogës qëndrimin në hotelin QP Hotels Trujillo në El Golf, ku edhe janë fotografuar. Ata janë Franc Malo dhe Gentjan Meta të njohur me pseudonimet “Barbas” (Mjekra) dhe “Pelado” (Tullaci).


Sipas policisë kundër narkotikëve, trafikantët e drogës frekuentonin ambientet e një kompanie agroindustriale me vendndodhje në Moche.

“Dy përfaqësues të mafies shqiptare, të cilët janë pjesë e kartelit Los Balcanes, kanë qëndruar në një hotel luksoz, që ndodhet në urbanizimin ekskluziv të El Golf, të cilët kanë ardhur në Peru me qëllim financimin, si dhe për t’u kujdesur për logjistikën e koordinim për dërgimin e më shumë se dy tonëve kokainë, e kamufluar në formë të lëngshme në kanaçe asparagusi, me vlerë 160 milionë dollarë që do të kishte si destinacion Holandën.

Ata janë shtetasit shqiptarë Franc Malo dhe Gentjan Meta. Të dy, të njohur si ‘Barbas’ dhe ‘Pelado’, kanë hyrë legalisht në Peru, duke u paraqitur si turistë, përmes Ekuadorit, për të nisur negociatat për dërgesën e drogës që do të merrej me rrugë detare përmes portit të Callaos”, shkruan media peruane.