Janë mësuar emrat e pesë efektivëve të burgut të Shënkollit të pezulluar nga detyra. Siç dihet, për ta është marrë kjo masë pasi tentuan të fusnin “mall” në ambientet e burgut. Rasti është zbuluar dy net më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për Sistemin e Burgjeve. Sipas burimeve, punonjësit nuk kanë respektuar rregullat e sigurisë dhe “malli” u tentua të futej tek të dënuarit përmes ushqimit.
Ende nuk dihet sasia e lëndës dhe lloji i saj, por në lidhje me rastin kanë nisur hetimet. Pesë prej efektivëve të pezulluar nga detyra janë: Alfred Noka, Agostin Maka, Arben Biba, Sajmir Frroku dhe Gjovalin Paloka. Pas hetimeve pritet që të merren dhe masa të tjera për të tjerë zyrtarë të përfshirë.
Punonjësit e pezulluar nga detyra kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni se brenda ushqimit për të dënuarit kishte drogë, por ka dyshime se vetë se ata janë të implikuar në këtë rast dhe për këtë arsye është vendosur pezullim i përkohshëm nga detyra. Po ashtu, pritet të mësohet se nga e kanë marrë drogën efektivët e Policisë së Burgut dhe për cilët të dënuar ishte e destinuar lënda narkotike. Deri në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti, 6 punonjësit do të qëndrojnë të pezulluar nga puna.
Çështja i ka kaluar për hetim Policisë dhe Prokurorisë, që pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë për sigurinë në burgje. Ndërkohë, mësohet se rasti është zbuluar mbrëmjen e së martës, pikërisht në kohën kur u aksidentua për vdekje shefi i Regjimit të Brendshëm në Burgun e Shënkollit, Arjan Bejtja. Sipas burimeve, 37-vjeçari ishte njoftuar për ngjarjen dhe menjëherë ishte nisur drejt Shënkollit.
Siç duket, shpejtësia për të mbërritur sa më parë te burgu, i solli edhe aksidentin tragjik që i mori jetën babait të dy fëmijëve nga Lezha. Bejtja u përplas me një automjet tjetër në superstradën Lezhë-Laç, në tentativë për të kryer parakalim.
Përplasja rezultoi fatale për 37-vjeçarin, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë, më 19 janar po në burgun e Shënkollit u kapën tre celularë që ishin fshehur në fund të tenxheve me ushqimeve.
Policet e pezulluar
Alfred Noka
Agostin Maka
Arben Biba
Sajmir Frroku
Gjovalin Paloka