Ekzekutimi i 57 vjeçarit, lirohen 15 të shoqëruarit për ngjarjen, mes tyre i riu që iu bë atentat në Shkodër…

Një ditë më parë në Shkodër mbeti i vrarë shtetasi Ismet Çekorja, 57 vjeç i cili u qëllua në afërsi të banesës nga persona ende të paidentifikuar. Policia vendore e Shkodrës ka bërë shoqërimin e afro 15 personave në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Mes të shoqëruarve është edhe shtetasi Alban Bruçi ndaj të cilit më 25 gusht të këtij viti iu bë një atentat në lagjen Rus ndërsa policia shpalli në kërkim shtetasin Bajram Çekorja si autor i dyshuar, djali i viktimës Ismet Çekorja që u vra një ditë më parë.


Të gjithë shtetasit që u shoqëruan për vrasjen e Çekores janë lënë të lirë nga policia e Shkodrës ditën e sotme. Në këtë mënyrë kanë rënë poshtë dyshimet se vrasja e Çekores ka lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit.

Përpos kësaj pak ditë përpara se Ismet Çekorja të vritej është takuar me babain e Alban Bruçit pasi kishin lidhje shoqërore të hershme dhe familjet janë sqaruar me njëra-tjetrën se Bajram Çekorja, djali i viktimës nuk ka asnjë lidhje me atentatin ndaj Alban Bruçit.

Ndërkohë policia vendore e Shkodrës vijon hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së Ismet Çekores duke hetuar për konflikte të mundshme të më përparshme të familjes Çekorja pasi efektivët ashtu si vetë dy familjet e kanë të qartë tashmë se ngjarja ndaj Alban Bruçit nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Ismet Çekores.