
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për mënyrën se si u ekstradua në Itali Nezar Seiti, për fatin e të cilit katër institucione pretendojnë se nuk kishin informacion se ai po hetohej nga Krimet e Rënda, e për këtë arsye ai nuk duhej të largohej nga Shqipëria. Por, megjithëse çelja e hetimeve për Nezar Seitin ishte gjatë muajve të fundit një fakt i deklaruar botërisht në media, nuk dihet ende se si do të justifikohen gjykatat, prokuroritë, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve për këtë mungesë dijenie.
Edhe nëse të gjithë nuk kanë parë asgjë dhe nuk dinë asgjë për këtë hetim, në fakt pranë Ministrisë së Drejtësisë ekziston një sistem on line përmes të cilit verifikohet gjendja e kujtdo që është nën hetim. Nga ana tjetër, siç thonë burimet, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është institucioni i dytë që duhej të dorëzonte një informacion pranë Ministrisë së Drejtësisë, se për çfarë mbahej në paraburgim që prej tetorit 2017 shtetasi Nezar Seiti.