Aktorja shqiptare nga Maqedonia, Adea Shabani, e cila u zhduk në mënyrë misterioze në apartamentin e saj në Hollivud muajin e kaluar, besohet se është vrarë nga partneri i saj, pasi ky i fundit vrau veten të enjten pas ndjekjes nga policia. Adea Shabani, nga Maqedonia, shkoi në SHBA më pak se dy vite më parë për të ndjekur karrierën e saj në aktrim. Ajo jetonte në Los Anxhelos, ku për herë të fundit ishte parë më 23 shkurt, afër shtëpisë së saj.
Policia e konfirmoi për FOX11 se familja dhe miqtë e saj besojnë se Adea ka vdekur. I dashuri i saj Christopher Spotz, 33 vjeç, gjithashtu ishte një aktor ambicioz. KTLA raportoi se ai dhe Adea ishin takuar në një shkollë të aktrimit. Zyra e Sherifit në Qarkun e Riverside tha se Spotz tentoi të ikte nga policia me një kamion të vjedhur.
Spotz raportohet se kishte një pasagjer në automjetin e vjedhur por u ndalua që ta linte personin të dilte jashtë, para se të vazhdonte ikjen e tij nga policia. Shoferi më pas qëlloi veten në kokë, ndërsa policia tentoi të krijonte një kordon bllokues në rrugë për ta ndalur atë.
Autoritetet i thanë NBC Los Angeles se automjeti mund të jetë përdorur për vrasje. Detaje të tjera rreth vrasjes nuk u bënë publike. Policia beson se Shabani u vra në një rajon mes Hollivudit dhe Sakramentos. Policia po vazhdon ta kërkojë trupin e Adeas dhe zhdukjen e saj misterioze. Nëna e Adeas tashmë ka angazhuar një hetues privat për të ndihmuar në kërkimin e saj.
Miqtë dhe familjarët e Adeas filluan të shqetësohen për të kur ajo nuk ishte më aktive në rrjetet sociale dhe as nuk e hapte celularin.