
Ditën e djeshme, e merkurë, 1 prill 2026, në disa portale online, u përhap si “rrufe” lajmi i kalimit të kryetarit të PS- së Malësi e Madhe, Lulzim Zara nga kjo forcë politike tek PSD e Tom Doshit. Në fakt, për shkak të “ditës së rrenave” siç njihet rëndom 1 prilli në Shkodër e Shqipëri, një lajm i tillë duhej marrë me shumë rezerva, si një shaka për rastin.
Në fakt, lajmi mori përmasa kombëtare, teksa përflitej edhe për shpërndarje të tij në media kombëtare, madje duke folur edhe për një video të vetë Zarës ku deklaron lëvizjen e bujshme politike në nivel rajonal. Edhe për një arsye tjetër, pasi Lulzim Zara është edhe zëvendëskryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër, si përfaqësues i PS dhe Malësisë së Madhe.
Ditën e djeshme, 1 prill 2026, sapo lajmi “mori dhenë”, ShkodraWeb kontaktoi me Zarën (siç mund ta kishte bërë çdo portal tjetër lokal para publikimit të lajmit) dhe sigurisht, duke e lidhur me “ditën e rrenave”, ai e kaloi shkurt: “Është 1 prilli…”. Duke ruajtur edhe natyrën humoristike të përgjigjes, ditën e djeshme ShkodraWeb publikoi thjesht një foto por që përmbante të vertetën e “lajmit të bujshëm”.
Këtë të enjte, ShkodraWeb komunikoi sërish me Lulzim Zarën, i cili pohoi: “Është e vërtetë se jam larguar nga pozicioni i kryetarit të PS Malësi e Madhe. Pas këtij “lajmi”, çdo gjë tjetër e shkruar, është e pavërtetë. Unë prej vitesh kam qenë pjesë e PS dhe nuk mund të tradhëtoj edhe trashëgiminë time, edhe familjare. Veç kësaj, vazhdoj të mbaj edhe përgjegjësinë e zëvendëskryetarit të Këshillit të Qarkut Shkodër”.
Mbase mund të jetë e vështirë të verifikohet një lajm që vjen e përhapet “rrufe” nga Tirana apo qytet tjetër dhe bëhet viral edhe duke qenë i pavërtetë. Por kur një lajm, për një person publik, është vetëm një telefonatë larg, është detyrim minimal verifikimi tek i interesuari i drejtpërdrejt.




