
Nëna e re nuk ia ka dalë! Pasi solli në jetë dy vajzat e saj, 27- vjeçarja M.S. fatkeqësisht ndërroi jetë duke lënë jetime dy krijesat e saj që në lindje, duke lënë dhimbje e trishtim jo vetëm tek familjarët por edhe opinioni publik në Shkodër.
Ditën e djeshme, pasi u dha njoftimi, dhjetra qytetarë iu drejtuan Spitalit Rajonal të Shkodrës për të dhuruar gjak për nënën e re, për të cilin ajo kishte nevojë pas lindjes së bebeve.
I gjithë stafi i Spitalit Rajonal të Shkodrës ka qenë në gatishmëri dhe sherbim të plotë pas shfaqjes së komplikacioneve vetëm pak orë pas lindjes. Nuk është e qartë arsyeja e kësaj ngjarje të rëndë, teksa të afërm të 27- vjeçares thonë se gjatë lindjes nuk është shfaqur asnjë problematikë.
Është menduar edhe dërgimi i nënës së re në Tiranë për mjekim më të specializuar, por kushtet shendetësore e kanë bërë të pamundur lëvizjen e 27- vjeçares. Këtë të mërkurë, zemra e nënës së re pushoi së rrahuri por duke lënë pas dy zemra, dy engjëj të vegjël tek të cilët ajo do të jetojë përjetësisht!
ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortit të 27- vjeçares, familjarëve, të afërmëve, miqve dhe të njohurëve të të ndjerës për këtë humbje shumë të rëndë.




