
Është ndarë nga jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej vitesh inxhinieri dhe piktori nga Malësia e Madhe, Zef Naçaj. Ai ka lënë gjurmë të forta në profesionit e inxhinierit të pyjeve por edhe si artist, piktor, punët e të cilit janë të përhapura në shumë vende të botës tashmë. Duke i shprehur ngushëllimet tona familjes për humbjen e të dashurit të tyre, më poshtë mund të lexoni një material, “Portret i paautorizuar”, përgatitur nga Gjon Fierza me 27 janar 2023.
Në kuadër 100- vjetorit Sherbimit Pyjor Shqiptar, kisha përgatitur këtë shkrim për inxhinierin Zef Naçaj, për ta bërë atë të njohur te brezi më i ri i specialistëve, po edhe për ta sjellë në kujtesë për kolegët…brenda e jashtë vendit. Në rrethet artistike z. Naçaj njihet si piktor, ndërsa ne inxhinierët e pyjeve e kemi koleg. Për Zef Naçajn të flasin gjatë, me respekt e konsideratë të veçantë, si student, si specialist dhe si drejtor i Ndërmarrjes Pyjore, Shkodër.

Zef Naçaj i përket asaj gjenerate që ka kontribute të lavdëruara në pylltarinë shqiptare. Ai pjesën më të bukur të jetës (rininë) e lidhi me pyjet. Mbaroi Shkollën e Mesme Pyjore në Shkodër me rezultate të larta me 1972 dhe po atë vit nisi studimet në Fakultetin e Pyjeve. Në vitin 1977 u diplomua inxhinier dhe nisi punë në Ndërmarrjen Pyjore, Shkodër. Në veprimtarinë e tij rreth 12 vjeçare si specialist, vlen të përmendet niveli i lartë profesional, komunikimi korrekt e bashkëpunues, çka do të bënte që vetë kolektivi ta zgjidhte drejtor në vitet 1989 deri më 1992. Ndërmarrja Pyjore e Shkodrës, me veprimtari shumë të madhe, do të kishte si drejtor të tretë të saj (pas Loro Beltojës e Vehbi Cufit) inxhinierin Zef Naçaj.
Ata që kanë punuar në atë ndermarrje ato vite, apo në ministri, sjellin në kujtesë cilësitë e veçanta dhe risitë në drejtim, që solli ing. Naçaj. Ai, me shpirt krijues e talent artisti, spikati në atë periudhë të vështirë, duke mundësuar e përshtatur dhe pylltarinë me situatën e krijuar të funksionimit të elementëve të ekonomisë së tregut. Më pas Zefi, punoi specialist në DSHP Malësi e Madhe dhe në vitet 1998-2002, konsulent lokal në Projektin Shqiptar të Pyjeve, financuar nga Banka Botërore. Edhe aty spikati puna cilësore e Zefit. Ai monitoronte punimet dhe vendosi bashkëpunim të mirë me pushtetin vendor e komunitetet lokale. Punimet që zbatoheshin në terren, ai i bënte prezent me foto e shkrime. Fotot artistike të Zefit, zbukuronin për disa vite mjediset e zyrave të Projektit të Pyjeve, etj.
Në vitin 2003, në plotesim të një ëndrre të lindur ndoshta bashkë me të, në kerkim të një jete më të mirë, ndoshta dhe sfidë vetjake, Zef Naçaj do ta gjente veten në një mjedis shoqëror të ndryshëm nga shqiptar, ku njeriu vlerësohet për sa di dhe sa realizon: emigroi nẽ SHBA, ku jeton e punon edhe sot. Zefi është ndër më aktivet dhe thuajse i përditshëm, me foto, komente e publikime. Ai ndjek nga afër veprimtarinë në shoqërinë shqiptare dhe veçmas problematikën e pylltarisë sonë.
Po në këto vite çfarë ka arritur Zefi në SHBA? Ai është modest dhe flet pak për vete, por arrijmë të mësojmë se ka mbrojtur gjuhën angleze dhe përkthyer diplomën e inxhinierit të pyjeve me pikët e nevojshme për “Bahchelor degree”. Ka mbaruar online për dy vjet shkollimin si specialist për dekorime të brendshme. Punon në profesionin e dizenjos dhe realizimin e aplikimeve të ndryshme arti.
Si inxhinier pyjesh, duket se “ushtron zanatin” ndoshta duke shijuar vetëm parqet pyjore dhe gjelbërimin e pafund atje ku jeton. Një dhunti që e bën disi të veçantë ing. Zefin, është se ai ka realizuar vepra të arrira në pikturë, ndonëse siç thotë ai “si amator”. Janë me dhjetëra piktura të Zef Naçajt, të ekspozuara midis piktorëve të njohur shkodranë në disa ekspozita vendore po edhe kombëtare. Zefi është njohur edhe si arkitekt: sot në zonên e Koplikut apo edhe në periferi të Shkodrës, ka disa vila të projektuara prej tij.
Vendlindja, Vermoshi, profesioni i inxhinierit të pyjeve, talenti dhe vullneti kanë qenë ato, që e kanë bērë Zef Naçajn artist të vërtetë dhe për këtë anë të jetës së tij, mund të shkruhen faqe të tëra. Tashmë profesioni i pylltarit për Zefin është disi një e shkuar, por gjithsesi ai mbetet i lidhur me kolegët, me shqetësimet dhe problematikën që kanë pyjet në Shqipëri. Zefi ndjek edhe së largu çfarë ndodh me to. Ai nuk nguron të shkruajë e të shqetësohet për përkeqësim të gjendjes së pyjeve. /ShkodraWeb/




















