
Një lajm i trishtë është mësuar këtë të diel të 23 marsit 2025! Ish- pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Profesor Selman Sheme, 79- vjeç, është ndarë nga jeta. Lajmi është dhënë përmes rrjeteve sociale nga familjarë por edhe miq të shumtë të profesorit.
“O ti qe fle, me thuaj ç’është gjumi? Gjumi eshte varr, eshte vdekje, ndaj sa je gjallë bëj vepra, që edhe kur të vdesësh të mbetesh i gjallë.. Sa shpesh na i thoje këto vargje Bush . Ndaj sot Bush, ndonëse u ndave fizikisht nga ne, ti je më i gjalli ndër ne, je krenaria jonë, e nipërve e mbesave, të afërmve e studentëve ndër breza që aq shumë i doje, e kolegëve e gjithkujt ta njohu mendjen e ndritur e zemrën e bukur.
Të prehesh në paqe i shtrenjti ynë!
Pritja bëhet sot, 23.03.2025, pranë shtëpisë funerale” Parajsa”,( Rr; “Muhedin Llagani”), ndërsa përcjellja për në banesën e fundit, të hënën dt.24.03.2025, ora 11.00.”, shkruhet në publikimin e familjarëve në rrjetet sociale.
Profesor Selman Sheme ishte me origjinë nga Çamëria, të cilës i kushtonte një vëmendje të veçantë edhe përmes publikimeve të ndryshme në shtypin e përditshëm apo mediat online. Ai ka lënë pas qindra e ndoshta më shumë, artikuj, studime, botime me interes jo vetëm njohës por edhe shkencor.
Prof. dr. Selman Sheme, na ka dhuruar një botim të rëndësishëm, një vepër historike për Çamërinë, çështjen çame dhe dëshminë që ajo mbart në vetvete nga lashtësia deri sot. Duke pasur një qasje specifike dhe të veçantë, libri “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë” është një gur i rëndë në referimet historike dhe komplekse që studiuesi i propozon lexuesit, studiuesve, institucioneve dhe perëndimit në njohjen thelbësore të Çamërisë.
Krahas një varg veprash të tjera mbi gjeografinë humane dhe regjionale, Prof. Selman Sheme, duke gjurmuar e hulumtuar traditat etnokulturore të Çamërisë, na ka sjell disa vepra të epërme, të cilat kanë lënë gjurmë në botën akademike shqiptare dhe ballkanike. Në këtë hulli bëjnë pjesë edhe studimet e tij monografike: “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2008), “Gjeohapësira e Konispolit” (2009), “Epiri i Jugut – Çamëria” (2014) “Çamëria – vështrim gjeopopullativ dhe etnokulturor” (2016), etj.
Pushofsh në paqe Profesor, ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmëve për këtë humbje./ShkodraWeb/