
Ka ndërruar jetë gazetari i njohur sportiv Saimir Demi. Prej kohësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe sot humbi betejën. Lajm i trishtë është bërë i ditur nga familjarët e tij. Saimir Demi është vëllai i gazetarit dhe moderatorit Enkel Demi.
Për këtë lajm të hidhur ka reaguar edhe gazetari i njohur, Defrim Methasani. Ai shkruan se ende nuk e beson ikjen e tij dhe ngushëllon familjarët e tij.
“Telefonata e fundit mu duk pesimiste, por kurrë se besoja ikjen kaq shpejt të tij. Saimir Demi, do të na mungojë nga sot, duke na lënë pas pikëllimin helm, që na iku nxitimthi, vetëm 57 vjeç. RTSH Sport është në zi, ashtu si familja Demi dhe familja e gazetarëve sportiv. Sëmundja e rëndë e rrëzoi njeriun që e donte kaq shumë jetën, ndërsa po kaq e donte dhe çdokush që e njohu dhe punoi me të. Ngushëllime familjes, nënës së tij fisnike, bashkëshortes Albanës që bëri gjithçka për jetën e tij, vëllait të shtrenjtë Kel Demi që ishte pranë tij në çdo moment, djalit të vetëm Bjornit që iu bë si shok dhe miqve e kolegëve të shumtë të tij. U prehsh në paqe mik dhe koleg i veçantë, që me ikjen tënde, do të na lësh një boshllëk të madh, aq sa plagët e Çamerisë nga ti vije…!”, shkruan Methasani.
Saimir Demi, i lindur në Tiranë më 30 Gusht 1967, është diplomuar në Drejtësi dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare Master Shkencor në profilin Administrim Publik.
Demi ka filluar angazhimin e tij me gazetën Sporti Shqiptar, gazetar pranë “Sport Ekspres”, më pas përgjegjës i redaksisë së sportit pranë gazetës “Koha Jonë”, për të vazhduar si kryeredaktor në gazetat “Sport Plus”, “Metropol Sport”, e zevendes kryeredaktor pranë Gazetës “Sport Ekspres”, si edhe ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Informacioni pranë Televizionit “Telesport”.
Aktualisht është pjesë e stafit të Radio Televizionit Shqiptar si redaktor përgjegjës në departamentin e sportit.
Me një eksperiencë të gjatë në fushën e gazetarisë sportive, Saimir Demi gjatë të gjithë kohës është angazhuar profesionalisht në trajnimin e stafit të ardhur rishtaz në redaksi për t’i orientuar drejt praktikave bashkëkohore në zbulimin e lajmit sportiv.