
Një lajm i trishtë ka ardhur nga përtej detit në Shkodër këtë të shtunë. Dashamir Dini, gazetar, publicist dhe poet, është ndarë nga jeta në Bergamo të Italisë. Lajmi është bërë i ditur përmes një publikimi në rrjetet sociale nga RTSH Shkodra.
“Një lajm i trishtë ka ardhur nga Italia! Është ndarë nga jeta Dashamir Dini, ish- drejtor, ish- kryeredaktor dhe ish- gazetar i Radio Shkodra dhe RTSH Shkodra përgjatë 22 viteve.
Ai ndërroi jetë nga hemoragjia celebrale akute në Bergamo të Italisë, ku po mjekohej nga një sëmundje e rëndë që iu diagnostikua kohët e fundit.
Për 7 vite, ai ishte drejtor i Radio Shkodra dhe RTSH Shkodra në harkun kohor 2000- 2003 dhe 2017- 2021. Ai do të mbahet mend për profesionalizmin dhe korrektësinë në detyrë.
Një pasion i veçantë i tij, ishte letërsia, veçanërisht poezia, të cilën ai e bashkëndante shpesh here edhe në rrjetet sociale.
Stafi i RTSH Shkodra, i shpreh ngushëllime familjes, të afërmëve, miqve dhe të njohurve për këtë humbje të madhe dhe shumë para kohe.”, thuhet në publikimin e RTSH Shkodra në rrjetet e veta sociale.
INTERVISTA E FUNDIT E DASHAMIR DINIT
Me 13 maj 2025, Radio Shkodra festoi 80- vjetorin e krijimit. Gazetarja e mirënjohur Merita Sokoli, organizoi një emision- maratonë mbi 4 orë me të ftuar “live” në studio, intervista dhe materiale të arkivës. Sigurisht, nuk do të mungonte as drejtori për 7 vite i këtij institucioni, Dashamir Dini, i cili realizoi kështu intervistën e fundit në studiot e Radio Shkodrës!
Dashamir Dini do të kujtohet si një qytetar model dhe me kontribute për Shkodrën e më gjërë. Aktiviteti i tij publik, në pozicionet që ka patur gjatë jetës së tij, ka rrezatuar gjithmonë vlera qytetarie.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe dhe të parakohëshme!