
Është ndarë nga jeta nga jeta Emin Rraboshta, mjeshtri mekanik i shquar, njeriu punëtor, i dalluar në zbatimin e shumë veprave, novatori i shumë shpikjeve në Uzinën e Kabllove Elektrike në Shkodër. Shumë punëtorë në Uzinen e Telave por edhe të tjerë, e kujtojnë Eminin si një njeri serioz, i ndërgjegjshëm, rigoroz, i aftë dhe i përpiktë në punen profesionale por edhe një bashkëshort dhe familjar i devotshëm.
Kush ishte Emin Rraboshta?
Mekanik, novator i shquar. Lindi në Shkodër ku në vitin 1949 kryen shkollën industriale. Në vitin 1951 punon si mekanik në Pukë. Nga viti 1952-1955 kryen shkollën e aviacionit për teknik aviacioni. Nga viti 1956 deri më 1963 punon mekanik në industrinë ushqimore. Në vitin 1964 merr pjesë në montimin e Uzinës së Telave në Shkodër. Më 1965 transferohet në montimin e Azotikut në Fier. Më 1967 rikthehet në Uzinën e Telave, me detyrë shef i repartit mekanik. Punon në këtë uzinë deri në vitin 1993 ku del në pension.
Në këtë uzinë ka zgjidhur probleme mekanike, si rikonstruksioni i Korpusit të Shpicpresave të izolimit me PVC (poliklorvinil) të kabllove elektrike, konstruktoi dhe ndërtoi në bashkëpunim me ing. Enver Dibren motorin asinkron me stator të hapur që eksperimentohej për herë të parë në vendin tonë, etj.
Është vlerësuar me fletë- lavdërimi për novatorizëm, si dhe urdhërat e punës së KL.I (1976), II, III. Më 1979 ka marrë edhe Çmimin e Republikës së Kl. I, për punën e bërë në projektimin e kabllit special për ndërlidhjen nënujore dhe për ndërlidhjen interurbane të frekuencës së lartë. /Nga Zenepe DIBRA, publikuar në Facebook/




