Shtatë ditë i janë dashur Këshillit Bashkiak të Shkodrës të mbyllë mbledhjen e nisur ekzaktësisht para një jave në orën 12.00 të mesditës. “E treta, e verteta”, shprehja e famshme është vertetuar mbrëmjen e sotme. E nisur si zakonisht me vonesë për mungesë kuorumi të këshilltarëve, mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak ka zgjatur rreth 3 orë, përfshirë edhe një pushim në mesin e saj.
“Tema e nxehtë” ishte shqyrtimi dhe miratimi i projektvendimit për faljen e taksave dhe tarifave vendore, i propozuar nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi. Qytetarja e parë e Shkodrës ishte e pranishme në sallë, ku ka këmbëngulur në kerkesën e saj që nga kjo falje për shkak të pandemisë, të përfitojnë të gjitha kategoritë e taksapaguesve, pa asnjë përjashtim. Ademi ka kërkuar barazi para ligjit, meqenëse të gjith kanë kaluar pasojat e pandemisë.
Këshilltarët socialistë kanë patur opinion tjetër, duke përjashtuar disa kategori taksapaguesish nga falja e tre muaj detyrime mars- prill- maj. Sa i takon bisnesit, do të përfitojnë vetëm kategoria me xhiro deri në 14 milion lekë, duke paraqitur xhirot e tyre të dokumentuara. Përjashtime janë bërë edhe tek taksapaguesit familjarë, ku kanë përfituar vetëm disa kategori të veçanta, një pjesë e të cilave edhe sot, paguajnë tarifa të reduktuara.
Kështu, Këshilli Bashkiak miratoi një vendim që nuk i përjashton të gjithë taksapaguesit nga pagesa për tre muaj e taksa- tatimeve vendore. Sipas kësaj logjike, jo të gjithë kanë kaluar pandeminë në Bashkinë e Shkodrës, jo të gjithë kanë shpenzuar me mjete mbrojtëse e dizifektantë, kjo për familjet e bisneset. Gjithsesi, ata që janë përfshirë në vendimin e çuditshëm të Këshillit Bashkiak, mund të gëzohen se do të kursejnë disa lekë në vitin 2021. Sepse vendimi i Këshillit Bashkiak nuk parashikon kthim të parave të taksa- tatimeve vendore, por do të quhen të paguara për vitin 2021.
Kjo pikë e rendit të ditës, solli edhe ndërprerjen e mbledhjes teksa u deklarua fillimi i votimit. Këshilltarët socialdemokratë u rreshtuan në mbështetje të projektvendimit të paraqitur nga kryebashkiakja Ademi, kështu kryetarja e Këshillit Brisela Kadija kërkoi pushim pasi nuk kishte votat e nevojshme për miratimin e projekt vendimit. Në minutat e pushimit, socialistët ia kanë dalë të bindin socialdemokratët për të mbështetur projektvendimin e tyre, me një ndryshim të vogël: Afati i pagesës së taksa- tarifave vendore të kalojë nga 30 shtatori me 30 tetor. Ndërsa Bashkia kishte propozuar datën 31 dhjetor 2020.
Pikat e tjera të rendit të ditës, janë shqyrtuar e miratuar pa polemika. /ShkodraWeb Media/