E rrëmbyen dhe e ekzekutuan në një fshat në Lushnje dhe e hodhën në Peqin, historia tragjike e “ushtarit” të Aldo Bares

Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e 38-vjeçarit Elton Semaku (Mermali), një ditë më parë në Peqin. 38-vjeçari u gjet i pajetë në bregun e lumit Shkumbin, në lagjen Shezë, në afërsi të tregut të qytetit të Peqinit, ndërsa sipas ekspertizës, ai është qëlluar me tre plumba të kalibrit 9 mm, dy në shpinë dhe një në kokë.

“BalkanWeb” mëson se anëtari i bandës së Aldo Bares dyshohet se është rrëmbyer, pasi kishte dalë nga shtëpia pak pas orë 19:00 të së shtunës në Lushnje.


Rrëmbimi dyshohet se është bërë nga të paktën tre persona, ende te pa identifikuar nga policia.

Ata dyshohet ta kenë ekzekutuar në një fshat të Lushnjës dhe më pas kufomën e kanë transportuar dhe hedhur në një zonë të pabanuar në periferi të Peqinit. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e ekzekutorëve të 38-vjeçarit Elton Semaku (Mermali).