Një shqiptar i dënuar me 108 vite burg dhe më pas është liruar, ka tërhequr vëmendjen e mediave greke. Kjo pasi, ata nuk bien dakord me lirimin e 36-vjeçarit shqiptar me 15 emra që ra në pranga në shkurt të 2008 dhe u dënua me 108.5 vite burg për disa akuza, atë të krijimit të një organizate kriminale, vrasje, vjedhje në bashkëpunim e armëmbajtje pa leje.
Ai u lirua pas 8 vite e gjysmë nga burgu dhe kjo nuk u ka pëlqyer grekëve, duke ia vënë fajin ligjit aktual të quajtur “Paraskevopoulos”. “Protothema” shkruan se shqiptari ka përfituar nga ligji famëkeq “Paraskevopoulos”, i cili i lejon të dënuarit që të aplikojnë për azil dhe në këtë mënyrë as nuk dëbohen nga vendi.
Gjithashtu, ky ligj ka reduktuar dënimin e detyrueshëm të vuajtjes së dënimit, nga 3/5 në 2/5. Sipas informacioneve të “Protothema”, shqiptari u lirua me kusht në nëntor të vitit 2016 pasi iu llogaritën edhe 413 ditët e punës vullnetare.