Dy fëmijë binjakë kanë humbur jetën mëngjesin e sotëm në Berat. Fëmijët e moshës 5 muajsh, te dy djem, kanë mbërritur pa shenja jete në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal Berat rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.
Raportohet se foshnjat R.Agalliu dhe R. Agalliu janë dërguar në Mongun e Spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore. Nga autopsia nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja intoksikimi në trupin e fëmijëve, edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë intoksikuar nga qumështi me kuti, me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.
Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se, në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur shenja d.hune. Ata dyshojnë se, fëmijët mund të kenë humbur jetën si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat e foshnjave dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre, për të zbuluar shkaqet e vd.ekjes.
Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit,në lagjen “Uznovë”.
Kunata e Merushes,Natasha Agalliu tregon se, fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes dhe duke qenē se ishte ftohtë, e ëma Merushja i kishte zbritur në katin e parë tek ajo ku ishte ndezur soba me dru. Gjysëm ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte, por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk reagonin.
Ajo pohon se i kanë dërguar menjëherë në spital por fëmijët ishin të pajetë. Natasha shprehet se fëmijët nuk ishin të sëmurë, asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë dhe askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat. Natasha u shpreh se,prindërit e foshnjave binjake, pas autopsisë, i kanë varrosur që sot fëmijët në varrezat Suelasit. /BW/