“E prishe fejesën nga xhelozia”, vëllai i Silva Turdiut- Nexhmije Hoxhës: Rrudhe buzët që në takimin e parë…

“Xhelozia e dibranes ia bëri gropën shoqes së vet të ngushtë dhe fëmijëve të saj”. Kështu shprehet Parid Turdiu, teksa sheh se si emri i së motrës, Silvës, dhe i familjes së tij përmendet sërish në një tjetër libër të Nexhmije Hoxhës.


Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, hedhur në treg pak ditë më parë, Nexhmije Hoxha i lë një hapësirë të konsiderueshme raportit mes Enverit dhe Mehmet Shehut. Nexhmije Hoxha, tashmë 99 vjeç, i rikthehet edhe një herë çështjes së fejesës së të birit të Kryeministrit me vajzën e pedagogut Qazim Turdiu.

Duke bërë edhe një herë “biografinë” e familjes së Silva Turdiut, sidomos anës së të ëmës, që i përkiste derës së Pipajve, në librin e saj ajo tregon se si e priti Enver Hoxha fejesën e Skënderit me Silva Turdiun.

Pas publikimit të librit ka reaguar edhe vëllai i Silva Turdiut. Përmes një statusi në “Facebook”, ai shprehet se ishte pikërisht Nexhmija ajo, që për shkak të xhelozisë nxiti Enverin që të detyronte Mehmet Shehun të prishte fejesën e të birit. Në një tjetër status të ditës së djeshme, Turdiu thotë se Nexhmije Hoxha duhet të ishte dënuar ashtu si Çausheskët në Rumani.

“Nuk duhen vr.arë e persekutuar njerëz. Pse jetonin të gjithë, me kuç e me maç, në sarajet e Enverit në Bllok dhe jo në banesa të zakonshme si gjithë populli?! Nexhi duhej të ishte dënuar me vd.ekje nga gjykata si Çausheskët, për kr.ime ndaj njerëzimit”, shkruan Parid Turdiu.

REAGIMI I PARID TURDIUT

“Nexhi paska shkruar një libër të ri; i ka ngelur gozhdë fejesa e Silvës, por gozhdë floriri, se Nexhi shet libra dhe bën lekë me historinë, ku Enveri dhe ajo ishin xhelatët, kurse viktimat janë njerëz të tjerë.

Mos duhet hedhur në gjyq për t’ia marrë lekët? Enveri dhe Mehmeti kanë kryer krime kundër njerëzimit (si shumë fyhrerë, presidentë, sulltanë e pashallarë të botës, në popujt e vet dhe të huaj). Erdhi koha e lartësimit të të drejtave të njeriut dhe mirë bëri Kaceli që fitoi gjyqin për ta hequr emrin e Mehmetit nga një rrugë në Mallakastër, se ka vrarë e persekutuar njerëz të pafajshëm. Por, shqiptarçe Mehmeti ishte burrë më i mirë se Enveri, i cili tradhtonte shokët e vet dhe vriste familjet e tyre.

SILVA TURDIU (MAJTAS) ENVER HOXHA E MEHMET SHEHU
SILVA TURDIU (MAJTAS) ENVER HOXHA E MEHMET SHEHU
Enveri fillimisht nuk ishte kundër asaj fejese. Ia futi xixat Nexhmija. Më ka treguar Silva që atë ditë, se Nexhmija mblidhte buzët. Xhelozia e dibranes ia bëri gropën shoqes së vet të ngushtë dhe fëmijëve të saj. Unë isha i ri dhe nuk e kuptoja, por e kam menduar më vonë: Çfarë opsionesh kishte babai im për ta kundërshtuar atë fejesë?!

Çfarë opsionesh ka Irani para USA? Në kuadrin e nuancave të historisë, me atë fejesë Mehmeti tregoi se donte ta mbyllte luftën e klasave. Ai që desh të ruante shtypjen e shqiptarëve nga shqiptarët, përçarjen, urrejtjen ishte Enveri.

Por më kot, se regjimi çnjerëzor implodoi pas pak vjetësh. Viktimat u sakrifikuan kot. Jeta dhe bota janë të vështira. Një popull i vogël europian duhet të jetë i bashkuar, me drejtësi e solidaritet”.

Për t’u bërë pjesë e grupit ShkodraWeb Media mjafton të klikoni: Join Group" dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi ShkodraWeb Media ju mirëpret!