Lulzim Basha i gjendur sot në studion e “Opinion” përballë gazetarit Blendi Fevizu ka pranuar se marrëveshja me Ramën nuk ka qenë pikësynimi i tij. A është shprehur se bindjet e tij politike kishin qenë gjithnjë pro largimit të Ramës, por ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve ajo që e detyroi të vepronte ndryshe. Për herë të parë opozita nuk do të merrte pjesë ne zgjedhje e as nuk do të hynte në Parlament e si pasojë vendi do të qeverisej vetëm nga një parti.
Basha është shprehur se:
“Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im politik. Unë doja largimin e Ramës. Mirëpo, ishim në kushte kur elementë të BE-së po bënin thirrje për zgjedhje pa opozitën. Erdhën amerikanët dhe ofruan paketën McAllister +. Unë isha i bindur se me Ramën nuk kishte zgjedhje të ndershme. Nëse PD dhe aleatët do të refuzonin paketën e fundit, SHBA-të do t’i bashkoheshin BE-së se mund të kishte zgjedhje pa opozitë. Nëse ne do të vazhdonim me JO-në tonë nuk do të hynim në Parlament për herë të parë në demokraci. Kauzat tona do të izoloheshin dhe Shqipëria do të kthehej në vitin 1990 me një parti-shtet. Në këto kushte vendimmarrja ishte e detyruar”.