Vllaznia ka zhvilluar sivjet një sezon vertetë fantastik. Deri në minutat e fundit në garë për titull dhe tashmë nënkampione, të hënën luan për të fituar trofeun e dytë më të rëndësishëm të sezonit, Kupën e Shqipërisë. Vështirë që jo vetëm në Shkodër, por kudo ku Vllaznia ka tifozë, të mos ketë interes për këtë ndeshje.
Edhe Këshilli Bashkiak i Shkodrës, pronari i KF Vllaznia sh.a., “nuk i shpëton etheve” të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme sidomos për prestixhin, sepse pjesëmarrja në Kupat e Europës është siguruar. Pikërisht për këtë arsye, Këshilli Bashkiak i Shkodrës sapo ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së planifikuar në të njëjtën orë të ditës kur Vllaznia luan për të marrë trofeun.
“Të nderuar qytetarë duke marrë shkas nga fakti që data 31 Maj përkon me datën në të cilën do të zhvillohet ndeshja Vllaznia -Skenderbeu, finalja e kupës së Shqipërisë, kryesia e Këshillit bashkiak vendosi që mbledhja e këshillit bashkiak e planifikuar ditën e Hënë, me datën 31 Maj, ora 17:00 të shtyhet në ditën e Enjte datë 3 Qershor 2021 ora 17:00.
I urojmë skuadrës tonë të zemrës të kthehen fitimtare në Shkodër!”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat. Është një gjest i thjeshtë por shumë kuptimplotë. Sepse para se të jenë këshilltarë, antarët e Këshillit Bashkiak janë shkodranë e nuk ka shkodran që nuk i rreh zemra me 100 km/orë për Vllazninë. /ShkodraWeb/