Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ndërsa është ndalur tek heshtja e kryeministrit Rama, pas akuzave të opozitës ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmakut, tha se asgjë nuk është e rastësishme dhe Rama e ka krijuar vetë këtë qerthull. Ai ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me heshtjen e kryeministrit Edi Rama për akuzat e opozitës ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Në rubrikën “Opinion”, në News 24, Paloka hodhi akuza të forta ndaj Agim Kajmaku, ndërsa tha se ai bën punën e bahçevanit në Surrel, te vila e Ramës.
“Ka një vendim qeverie që i jep Kajmakut, nuk e di se sa euro, për të zbukuruar Surrelin. Jo vetëm e zbukuroi vilën e Ramës, por tani bën edhe bahçevanin aty. Pra, asgjë nuk është e rastësishme, Rama e ka krijuar vetë këtë qerthull dhe nuk e di si do ta zgjidhë”, tha Paloka.
Më tej, ish-deputeti foli dhe për Valdrin Pjetrin, i cili dha dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut të Shkodrës, pas fakteve të publikuara nga opozita, ku rezultonte se ka qenë i dënuar në Itali për trafik d.roge. Lidhur me këtë, Paloka tha se Rama e dinte të vërtetën më parë, por e çoi Valdrinin me zor në Shkodër.
“Ai ka shkuar me vetëdije në këtë pikë, që nga farsa e 30 qershorit, vendosja e figurave k.riminale, si Valdrini në Shkodër, që e çoi me zor. Me Kajmakun ka mbyllur gojën, e di shumë mirë, se i ka zgjedhur vetë”, theksoi ai.