Klubi malazez Iskra Danilovgrad ka ndër mend t’i luajë ndeshjet e tij të vlefshme për Europa League, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. “Shkodra Sport” meson se nje gje e tille pritet te zyrtarizohet ne ditet ne vijim.
Drejtuesit e tij e kanë menduar gjerë e gjatë këtë punë dhe në ditët në vijim pritet të bëjnë edhe kërkesën zyrtare në Bashkinë Shkodër që është edhe pronarja e këtij impianti sportiv, për të marrë lejen e zhvillimit të këtyre ndeshjeve aty.
Iskra është një ekip pa shumë emër por në sezonin e fundit ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe për rrjedhojë ka siguruar një vend në Kupat e Europës.
Situata e re e krijuar në të gjithë Botën nga pandemia, ka bërë që të ketë shumë ndryshime në të gjitha fushat e jetës dhe kështu po ndodh edhe futbolli. Rastet e shumta të të infektuarve kohët e fundit në kryeqytetin fqinj, Podgoricë, kanë bërë që UEFA t’i kërkojë drejtuesve të Iskra të mendojnë për zhvillimin e këtyre ndeshjeve jashtë Malit të Zi dhe varianti më i mirë për ta natyrisht që ishte stadiumi i Shkodrës.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse vërtetë do të ndodhë kështu apo jo, por gjasat janë që në “Loro Boriçi” të ndjekim një ndeshje të Kupave të Europës dhe këtë mundësi mund të na e japin malazezët e Iskra Danilovgrad.