Dy ndeshje në Shkodër për të hyrë në fazën e grupeve, Vllaznia mund të mbushë “arkën” nëse kualifikohet…

Vllaznia dhe skuadra e Vorskla Kharkiv, kanë marrë vendimin për t’i zhvilluar të dyja ndeshjet e fazës “play off” të Ligës së Kampioneve në Shkodër. Shkak për këtë vendim është bërë lufta në Ukrainë, me ekipin mik që nuk ka dashur të rrezikojë mbarëvajtjen e ndeshjes së parë, që ishte planifikuar të luhej aty.

Sipas dakordësisë mes klubeve, të dyja sfidat do të zhvillohen në stadiumin “Loro Boriçi”, me drejtuesit e klubit shkodran që kanë shprehur garancinë e tyre për t’u plotësuar ukrainaseve të gjitha kushtet e nevojshme që nga akomodimi dhe deri te stërvitja përpara sfidave.


Kështu, më 20 ose 21 shtator do të zhvillohet ndeshja e parë e kësaj faze Vorskla-Kharkiv-2 – Vllaznia, ndërsa më 28 ose 29 shtator do të luhet sfida e dytë. Një lajm i mirë për kampionet e Shqipërisë, të cilat do të kenë mbështetjen e publikut të zjarrtë shkodran në të dyja ndeshjet, ku do të kërkojnë që të bëjnë realitet ëndrrën e kualifikimin për në grupe, së cilës i janë afruar në disa raste.

Kujtojmë se kjo është hera e tretë që Vllaznia është pjesë e “play off”-it në Champions, ndërsa tashmë përveç një bilete për në fazën e grupeve, e cila do të ishte historike, janë në lojë edhe milionat e kompeticionit më prestigjioz për klube.

Në rast kualifikimi në grupe, Vllaznia do të përfitojë automatikisht menjëherë 400 mijë euro. Ndërkohë, më tej në grupe, për çdo fitore, skuadra merr 50 mijë euro, ndërsa për çdo barazim, 17 mijë euro. Ndërsa në rast se del e para në grup, përfiton gjithashtu edhe 20 mijë euro të tjera shtesë.

Kështu, fitimi maksimal për Vllazninë nëse bëhet pjesë e grupeve mund të arrijë deri në 720 mijë euro, ndërsa minimali mbetet 400 mijë euro. Pa llogaritur këtu milionat që klubi kuqeblu ka arkëtuar duke u bërë pjesë e “play off”- it, shumë që mendohet të jetë përafërsisht 70 mijë euro.