“Duhet të kthehet në rrugën e duhur”, dëbimi i dy diplomatëve, reagon Irani: Shqipëria ka bërë disa gabime…

Irani ka reaguar për herë të parë pas dëbimit të dy diplomatëve iranianë nga Shqipëria. Është zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Seyyed Abbas Mousavi i cili thotë se Shqipëria ka bërë disa gabime por duhet të kthehet në rrugën e duhur, pasi rruga aktuale nuk është konstruktive.


‘’Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit në #Albania duke dëbuar diplomatët iranianë: Shqipëria ka bërë disa gabime dhe ne ndiejmë se ngjarjet në rajonin tonë kanë krijuar disa keqkuptime për Shqipërinë; ne rekomandojmë që ata të mos lidhin marrëdhëniet tona të mira me një vend të tretë …

Shqipëria duhet të kthehet në rrugën e duhur dhe rruga e tyre e tanishme nuk është konstruktive.’’- thotë zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme të Iranit.

Statusi është publikuar nga gazetari iranian Hossein Ghazanfari i cili citon fjalët e Seyyed Abbas Mousavi për Shqipërinë.

Javën e kaluar Shqipëria dëboi dy diplomatët iranianë nga vendi, Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast. Zëri Amerikës tha se këta dy diplomatë kishin qenë bashkëpunëtorë të gjeneralit të vr.arë iranian Qassem Suleimani.

Shqipëria ka mbajtur anën e SHBA sa i përket konfliktit me Iranin por zyrtari iranian thotë se Shqipëria ka keqkuptuar zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme dhe nuk duhet ta lidhë lidhjet e mira të Iranit me një vend të tretë.