“Duhet të analizojmë gabimet”, trajneri i Vllaznisë flet pas humbjes me Kukësin: Goli i parë vendosi ndeshjen

Vllaznia pëson humbjen e parë sezonale dhe ashtu si vitin e kaluar, e bën këtë ndaj Kukësit, ndërsa trajneri Thomas Brdariç pranoi rezultatin dhe uroi kundërshtarin për marrjen e tre pikëve.

“Fillimisht dua të komplimentoj skuadrën e Kukësit, që shënoi dy herë dhe ishte e mjaftueshme për të luajtur kundër nesh. Nuk është se kishim mungesë përqendrimi, por shpërdoruam, duke humbur një rast shumë të mirë me Da Silvën, ndërsa më pas erdhi ai gol shumë i bukur, që ktheu situatën në favor të Kukësit. Patëm një mungesë durimi, pasi ishim shumë të nxituar, por duhet të analizojmë këtë ndeshje dhe të përmirësohemi.


Duhet të analizojmë për të kuptuar se pse ndodh që një herë shënojmë shumë gola dhe një herë tjetër vuajmë shumë për të dërguar topin në rrjetë. Sot nuk ishte një ditë e mirë, por do të nxjerrim mësimet për të bërë më mirë në ndeshjen e ardhshme.

Krymi ishte i sëmurë dhe nuk ndihej mirë për të luajtur, ndaj shpresoj ta kemi gati për ndeshjen e ardhshme. Ai na jep shumë siguri në fushë, por gjithsesi lojtarët që janë në fushë duhet të jenë më të kujdesshëm për të vlerësuar situata të caktuara. U lamë shumë hapësira lojtarëve kundërshtarë, ndonëse e dinim se ata kanë shpejtësi e cilësi”, u shpreh trajneri Brdariç.