Duhej të qëndronte përjetë pas hekurave, por gjykata e liron ish- kreun e bandës së rrezikshme (detajet)

Lirohet ish-numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle. Pas 20 vitesh burg, gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi që të pranonte kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm duke ia konvertuar në 25 vite, ndërsa më pas e ka liruar me kusht. Lëvizja kyçe për lirimin nga burgu të Dokles që ka qenë dënuar për vepra shumë të rënda penale, ishte kërkesa në shtator të vitit të kaluar për ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë në një burg të sigurisë së zakonshme. Kërkesa e tij u pranua po nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

“Vendosi pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle, ndryshimin e llojit të sigurisë së burgut për kërkuesin Endrit Dokle nga burg i sigurisë së lartë në një burg të sigurisë së zakonshme, ngarkohet drejtoria e përgjithshme e burgjeve Tirane për zbatimin e këtij vendimi, shpenzimet gjyqësore sikur janë bërë, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit Tiranë sipas ligjit duke filluar nga e nesërmja e shpalljes se këtij vendimi. U shpall në Krujë sot me date 20.09.2019” ishte vendimi i shtatorit të vitit 2019.

Menjëherë pasi siguroi fitoren e parë, pra ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit, në tetor po të vitit 2019 Dokle depozitoi një kërkesë për lirim me kusht, pasi pjesën më të madhe të dënimit maksimal sikur kanë pretenduar avokatët, 25 vite e ka shlyer duke kërkuar më pas shuarjen e dënimit përjetë që ka dhënë gjykata e Lartë në 2014, që e ka lë fuqi edhe Gjykata Kushteteuse dhe konvertimin në 25 vite burg.

Kërkesa është kundërshtuar nga prokurorët, duke pretenduar se për Doklen ka një vendim të formës së prerë në 2014 që e dënonte për burg përjetë dhe kanë kërkuar që të vijojë që të qëndrojë në burg dhe të vuajë dënimin.

Mirëpo gjyqtarja Hoxha vendosi që këtë dënim përjetë ta konvertojë në 25 vite më pas duke e cilësuar si dënim që pjesën dërrmuese e ka shlyer e ka liruar me kusht. Nëse do të ishte në fuqi dënimi me 25 vite burg, Dokle duhet të qëndronte edhe 4-5 vite në qeli, por avokatët kanë pretenduar se vitet janë ulur nga amnistia dhe gjykata e pranoi. Sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje pasi pretendojnë faktin se gjykata i ka llogaritur si ditë burgu edhe amnistinë e cila sipas ligjit nuk llogaritet.


Për t’u bërë pjesë e grupit të "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal