Garet Bejl nuk është kampioni i vetëm që ka ardhur në Shqipëri për të sfiduar Kombëtaren tonë, por ndoshta është një nga më të shtrenjtët. Kujtojmë që vite më parë në eliminatoret e Europianit erdhi me Portugalinë Kristiano Ronaldo dhe pas tij kanë qenë të tjerë që kanë zbritur në tokën shqiptare (yjet e Spanjës). Dhe nëse krahasimin do ta bëjmë për vlerën e kartonëve që kanë futbollistët e të dyja skuadrave, Shqipërisë dhe Uellsit, atëherë nuk ka fare histori.
Sepse Garet Bejl kushton 21 milionë euro më shumë sesa e gjithë Kombëtarja shqiptare (përfshirë të gjithë futbollistët që Panuçi u dërgoi ftesë për dy ndeshjet, pavarësisht largimeve dhe atyre që nuk erdhën). Sulmuesi i Realit të Madridit e ka vlerën në treg 90 milionë euro, ndërsa kuqezinjtë të gjithë së bashku, duke mbledhur “forcat”, shkojnë 69 milionë euro.
Sigurisht që yje të tillë shërbejnë për të rritur edhe lojtarët e Kombëtares shqiptare, për të fituar eksperiencë dhe për të provuar realisht forcën e tyre. Bejl është një lojtar i madh, por jo i pandalshëm. Në kohët e fundit në Madrid ka treguar se është njerëzor dhe me ecurinë e tij ka shqetësuar “galaktikët”. Ai gjithashtu kërkon ta shfrytëzojë momentin në kombëtaren e Uellsit për të rigjetur formën.