“Duartrokitje për t’u duartrokitur”, tifozët shkodranë tregojnë sërish qytetari

Dita e klasikes së futbollit shqiptar nisi me një komunikatë të klubit të Vllaznisë, që deklaroi se për shkak të një ofendimi në faqen zyrtare në Facebook, grupimi “Tirona Fanatics” nuk do të lejohet të futet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Megjithatë ndërhyrja e FSHF-së bëri që gjithçka të zhvillohej normalisht dhe tifozët bardheblu të akomodoheshin në tribuna, ndërsa në fund të ndeshjes u bënë protagonistë fansat kuqeblu, të cilët u rikthyen te tradita e tyre e vjetër.


Në përfundim të ndeshjes fansat kuqeblu të mbetur në shkallët e “Loro Boriçit” duartrokitën Tiranën, që fitoi me meritë ndaj Vllaznisë, duke vendosur në një farë mënyre paqen mes dy tifozërive që kanë shkuar gjithmonë mirë, por kanë pasur përplasje vitet e fundit.

Natyrisht një gjest i rrallë ky, që të paktën në stadiumet shqiptare, vetëm fansat kuqeblu kanë treguar se kanë qytetarinë e nevojshme për të pranuar humbjen dhe për të respektuar kundërshtarin.