Agim Canaj vendos të rrëfehet. Tashmë, i qetë dhe i ftohtë pas kërcënimeve që mori kur u bë trajner i Vllaznisë katër javë më parë, tekniku tregon gjithçka për gazetën “Panorama Sport”. Tekniku nuk e dramatizon situatën, ndërsa thotë se janë gjëra normale në mentalitetin shqiptar. Ai jep gjykimin e tij për Vllazninë dhe këshillon drejtuesit për të ardhmen e klubit. Ndërkohë, ende nuk është vendosur nëse do të qëndrojë sërish në krye të skuadrës në sezonin e ardhshëm në Superiore.
Katër ndeshje në krye të Vllaznisë. Si e vlerësoni skuadrën në paraqitjet që ka bërë deri tani?
Skuadra ka qenë në vend të parë, ndërsa ka një grup lojtarësh që unë e njoh në 50- 60% të tij. Këtë grup e kam stërvitur edhe më parë në Superiore. Është një ekip që këtë sezon në grupin e saj në Kategorinë e Parë ka ditur të menaxhojë forcat dhe në momentin që jam afruar unë në krye të skuadrës, duhej vetëm që ta siguronim edhe matematikisht ngjitjen në Superiore. Me tri fitoret që arritëm radhazi, e mbyllëm çështjen e rikthimit në elitë. Kjo bëri që objektivi të arrihej dhe të krijohej një situatë qetësie.
Pas tri fitoresh radhazi, u mundët në sfidën me Dinamon. Ku gabuat në atë takim?
Skuadra pati një rrotacion në dy ndeshjet e fundit në sfidën ndaj Korabit dhe atë me Dinamon. Normalisht, edhe arritja e objektivit bëri që lojtarët të binin në qetësi. Është pak i vështirë motivimi në 100% i futbollistëve në situata të tilla. Mendoj se pikërisht kjo ndodhi në sfidën me Dinamon, ku u mundëm 2-0. Vlerësimi i ndeshjes në situata të caktuara nuk është ai i duhuri. Sigurisht, kjo nuk është pozitive. Megjithatë, humbja me Dinamon na zgjoi.
Tani është përcaktuar zyrtarisht edhe ekipi që do të keni përballë në finalen për titullin kampion, Bylisi. Si e vlerësoni këtë sfidë?
Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pasi ndeshemi me një ekip shumë cilësor në grupin tjetër. Ashtu si Vllaznia, edhe Bylis ka qenë në Superiore dhe unë e kam drejtuar tri herë në kohë të ndryshme. Por, këtë vit në Kategorinë e Parë ka qenë një ekip që ka treguar se di të fitojë dhe është një skuadër e organizuar mirë.
Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Kemi disa dëmtime të lehta, por shpresojmë që deri kur të vijë finalja, të kemi të gjithë grupin në dispozicion dhe të rikuperohen. Do të hyjmë në fushë me synimin për të bërë një ndeshje të mirë dhe të fitojmë edhe titullin që e kemi objektiv.
Për të ardhmen tuaj keni folur me drejtuesit, do qëndroni sërish te Vllaznia edhe në Superiore?
E kam thënë edhe më parë se nuk kemi mbërritur ende në pikën e diskutimit. E kam shprehur gjithmonë që te Vllaznia shkoj pa asnjë detyrim, në kuptimin sportiv. Por, për sa i përkets ardhmes sime në krye të skuadrës, duhet të jetë një diskutim i gjerë. Për të nisur një punë te Vllaznia që do të garojë në elitë, duhet të vihen piketa të rëndësishme në shumë drejtime.
Klubi duhet të mësojë nga gabimet e së shkuarës, pasi Superiorja nuk është aspak e lehtë. Është një kampionat shumë i vështirë dhe kërkon qëndrueshmëri në shumë aspekte, sidomos për sa i përket investimit si në lojtarë, në buxhetin që duhet, ashtu edhe në përkushtim. Mendoj që këto janë të realizueshme nëse ka një angazhim maksimal.
Në këtë kohë që unë e kam parë skuadrën, mund të them se ka shumë punë për të bërë. Është një çështje që duhet të mendohet gjatë. Në këto momente unë shoh deri në pikën që të arrijmë të fitojmë titullin e këtij sezoni në Kategorinë e Parë. Më pas duhet të mendohet për vazhdimësinë.
Privatizimi është një prej çështjve më të diskutueshme te Vllaznia. Mendoni se duhet bërë sa më shpejt që klubi të funksionojë edhe më mirë?
Gjithmonë është thënë, edhe në Bashkinë e Shkodrës, se privatizimi është një prej objektivave të atij institucioni. Megjithatë, ky është një proces që nuk më takon mua të them nëse duhet bërë dhe se kur. Për privatizimin është menduar gjithmonë në periudha të ndryshme, por për t’u bërë finalizimi është një punë e madhe dhe vendosin të tjerët për të arritur aty ku është më e mira për skuadrën e futbollit.
Me këta lojtarë që ka aktualisht Vllaznia, mendoni se mund ta përballojë Superioren sezonin e ardhshëm?
Ky grup ka qenë në Superiore. Gjithmonë, e mira nuk ka fund. Është një grup lojtarësh që njihet se çfarë kapacitetesh ka. Por, për të qëndruar në elitë apo për të synuar diçka madhore siç është titulli apo pjesëmarrja në Kupat e Europës, duhen investime shumë të mëdha.
Superiorja ka treguar se edhe ekipe të mëdha si Tirana apo të tjera, pavarësisht se mund të kenë bërë investime të rëndësishme, është dashur shumë punë për të arritur objektivat. Elita është një profil tjetër në krahasim me Kategorinë e Parë.
Duhet shumë punë, pasi ka një konkurrencë të madhe. Vllaznisë i duhet shumë investim në shumë aspekte për të arritur atë që e kërkojnë të gjithë, një skuadër që të mos vuajë në fund të renditjes, por të jetë pretendente. Duhet të mësojmë nga e kaluara. Ka nevojë për shumë gjëra që janë të domosdoshme në futboll.
Mendoj se gjithçka është e arritshme dhe besoj shumë, pasi ka përkushtim. Por, duhen gjetur njerëzit e caktuar dhe elementë të caktuar për të arritur gjëra të mëdha, që Vllaznia vitin tjetër të jetë një skuadër e rëndësishme, pasi është një klub me shumë histori.
Është përfolur shumë për kërcënimet që keni marrë kur erdhët në krye të Vllaznisë. Është thënë edhe se ka pasur edhe kontakt fizik ndaj jush. Çfarë ka ndodhur realisht me ju?
E kam thënë edhe në momentin që jam kthyer në Shqipëri nga Anglia. Janë disa gjëra që i përkasin së shkuarës. Mendoj se në futboll të gjithë duan të luajnë. Jam një trajner që kam lëvizur në 14 klube të Shqipërisë dhe kam pasur problematika të ndryshme.
Si mund t’i quani, presione, kërcënime apo diçka tjetër, janë bashkudhëtarë të trajnerëve në mentalitetin shqiptar. Gjërat zgjidhen nëse një trajner mendon për aspektin profesional për të arritur objektivin që synon. Fenomene të tilla kanë ndodhur jo vetëm tek unë, por te shumë trajnerë dhe në shumë ekipe. Shpresoj që gjërat të minimizohen dhe trajneri të punojë i qetë në detyrën që ka.
Është e vërtetë që i paraqitët dorëheqjen kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, pas kërcënimeve që morët?
Jo, nuk kam paraqitur dorëheqjen asnjëherë te Vllaznia. Ishin fillimet e mia. Sigurisht, problematikat e shumta që mund të jenë gjatë të gjithë sezonit, ndonjëherë përplasen në një moment të caktuar dhe nuk u jep dot zgjidhje askush, asnjë trajner. Por, në bashkëpunim me të gjithë faktorët, gjërat bëhen më të lehta. Nga bashkëpunimi shumë i mirë që patëm mes kryebashkiakes Ademi dhe stafit teknik e lojtarëve, arritëm që çdo gjë ta vendosnim nën kontroll për anën e mirë të punës.
Ju kishte shprehur ndonjë shqetësim ish-trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, që ju zëvendësuat?
Jo. Të them të drejtën, nuk janë shqetësime që mund të komunikosh me çdo trajner. Hasan Likën e kam pasur koleg shumë të mirë prej 25 vitesh. Është një nga miqtë e mi më të mirë të trajningut dhe kam folur gjatë të gjithë kohës, madje edhe tani që është në Amerikë. Kemi folur me njëritjetrin për të gjitha problematikat negative dhe pozitive të skuadrës. Kjo më ka ndihmua shumë.
Lojtari më i mirë që do të veçonit?
E kam të vështirë që të them emra. Nuk dua të veçoj askënd. Kolektiviteti dhe kompaktësia e grupit janë arma më e fortë e kësaj Vllaznie.
Nota që meriton skuadra?
Notën maksimale. Përderisa e ka arritur synimin që të ngjitet në Superiore, ekipi meriton notën më të mirë.